Sipas ministrit Kuçi, Gjykata Speciale është politike

Ministri i Drejtësisë tha se për krimet e luftës nuk ka dështuar drejtësia vendore por ajo ndërkombëtare.

Lajme

21/01/2015 21:46

Ai tha se në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që sistemi i drejtësisë të kontrollohet nga ndërkombëtarët sikundër veprohet në Kosovë.

Prandaj, ministri Kuçi thotë se ka dështuar sistemi i drejtësisë ndërkombëtare e jo ai i Kosovës.

“Në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që sistemi i drejtësisë të jetë i kontrolluar nga ndërkombëtarët. Krimet e luftës, që kanë qenë të kontrolluara nga UNMIK-u, tani janë në dorë të EULEX-it. Kështu që nëse kanë dështuar, ka dështuar drejtësia ndërkombëtare”, tha ministri i Drejtësisë në emisionin “Betimi për Drejtësi”, transmeton Express.

Ministri Kuçi tha se Gjykata Speciale është çështje politike dhe nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë.

“Gjykata Speciale është faturë politike që po e vendosin në kurriz tonin. Gjykata Speciale është mos me reagu Rusia në Këshill të Sigurimit. Mua ma ka thënë prokurori Williamson. Politika e ka propozuar, politika po e ndalon që të mos e dërgojë në Këshill të Sigurimit. Nuk ka të bëjë asgjë me drejtësi. Në Kosovë ka gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, ka KFOR. Ju garantoj që më e madhe siguria është në Kosovë sesa na Holandë”, tha ministri Kuçi.