Siguria e brishtë në kryeqytet, prindërit e shkollës “Pavarësia” marrin iniciativë të paguajnë vet një sigurim privat

Therje, plagosje e përleshje të shumta janë regjistruar javën e kaluar në kryeqytetin e Kosovës. Kjo si duket i ka frikësuar edhe prindërit të cilët i dërgojnë fëmijët në shkollat publike të Prishtinës. Prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimet në shkollën “Pavarësia” në kryeqytet kanë marrë iniciativë që të paguajnë vet një sigurim privat, i…

Lajme

19/11/2024 21:23

Therje, plagosje e përleshje të shumta janë regjistruar javën e kaluar në kryeqytetin e Kosovës.

Kjo si duket i ka frikësuar edhe prindërit të cilët i dërgojnë fëmijët në shkollat publike të Prishtinës.

Prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimet në shkollën “Pavarësia” në kryeqytet kanë marrë iniciativë që të paguajnë vet një sigurim privat, i cili do të ndalonte hyrjen e personave të tjerë.

Drejtori i shkollës “Pavarësia” ka thënë për lajmi.net se është iniciativë e prindërve por ende nuk është marrë vendimi.

“Vërtetë që iniciativa për sigurim në shkollë ka ardhur nga vetë prindërit nga këshilli i prindërve kur kemi mbajt një mbledhje të këshillit të prindërve në muajin tetor. Nga aty ka rrjedh ideja që është e mundshme që shkolla ta ketë një sigurim të vetin që të parandalohen probleme të natyrës së ndryshme. Numri i madh i nxënësve dhe përleshjet e mundshme mund të jenë arsye pse prindërit mund ta ndiejnë nevojën për një siguri më të madhe në shkolla, por siguria në shkolla është diskutim që bëhet edhe në rrafshe të tjera, edhe në Ministri edhe në nivel komune. Madje, Komuna e Prishtinës para një viti e më shumë ka përgatit një plan të veprimit për sigurinë nëpër shkolla”, ka thënë për lajmi.net drejtori i shkollës “Pavarësia” Halil Brahaj.

Disa nga prindërit e fëmijëve të kësaj shkolle kanë thënë mbrapa kamerave të lajmi.net se ende nuk kanë informacione konkrete pasi që ka mbetur të vendoset nga këshilli i prindërve.

“Më duket që e kanë caktu nga 1 euro për fëmijë në muaj”, ka thënë njëri nga prindërit.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se nuk është i informuar në lidhje me këtë sigurim fizik.

“Jo, nuk kam informatë për besë. Duhet me pas informacion mandej me iu dhënë përgjigje sepse se kam këtë informatë”, ka thënë Zogaj.

Në këtë shkollë, sipas drejtorit Brahaj janë 1900 nxënës e që nga 1 euro për secilin bëjnë 1900 euro të cilat do t’i dedikohen sigurisë në shkollën “Pavarësia”. /Lajmi.net/

Video: