Siguri e plotë më 17 nëntor

Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR rrisin masat e sigurisë për votuesit më 17 nëntor në Mitrovicën e Veriut. Premtojnë reagim të menjëhershëm, nëse aktet e dhunës përsëriten.

Lajme

15/11/2013 09:56

Në ditën e përsëritjes së votimeve në Mitrovicën e Veriut, më 17 nëntor, Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i do të jenë më vigjilentë se sa dy javë më parë.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Policia, EULEX dhe KFOR thonë se kanë shtuar masat e sigurisë për t’u ofruar kushtet e mjaftueshme votuesve të votojnë dhe organizuesve ta mbikëqyrin si duhet procesin e votimit.

Dhe në rast të përsëritjes së akteve të dhunshme, sikur më 3 nëntor, ata premtojnë se do të reagojnë menjëherë.

“Për zgjedhjet që do të mbahen në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës këtë fundjavë, Policia e Kosovës (PK), EULEX’i dhe KFOR’i do të miratojnë masa të forta sigurie në mënyrë që të sigurojë që anëtarët e komiteteve në vendvotime dhe lehtësuesit e zgjedhjeve nga OSBE’ja, të mund të kryejnë punën e tyre dhe procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Popullata në veri të Mitrovicës mund të presin një prani të zgjeruar të Policisë së Kosovës jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX’i. KFOR’i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre”.

“Koordinimi mes Policisë së Kosovës, EULEX’it, KFOR’it dhe OSBE’së vazhdon të jetë i shkëlqyer”.

“Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i do të mbeten vigjilent dhe do të veprojnë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe vendosmëri. Nëse do të rrezikohet procesi zgjedhor apo siguria e votuesve, stafit dhe vëzhguesve në qendrat e votimit, Policia e Kosovës,  EULEX’i dhe KFOR’i janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.