Siguri e brishtë në Kosovë – Katër persona u vranë brenda tri ditëve, ministrat heshtin

Kosova është tronditur gjatë tri ditëve të fundit, pas tri vrasjeve të cilat kanë ndodhur.  Dy nga to në Vushtrri e një tjetër në kryeqytet, nga të cilat kanë humbur jetën 4 persona ndërsa një person tjetër është i lënduar. Të dielën, më 23 mars një 19 vjeçar ka humbur jetën pasi që i njëjti…

Lajme

26/03/2025 13:39

Kosova është tronditur gjatë tri ditëve të fundit, pas tri vrasjeve të cilat kanë ndodhur.  Dy nga to në Vushtrri e një tjetër në kryeqytet, nga të cilat kanë humbur jetën 4 persona ndërsa një person tjetër është i lënduar.

Të dielën, më 23 mars një 19 vjeçar ka humbur jetën pasi që i njëjti dyshohet se është vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.

Lajmin për vrasjen e tij, e pati konfirmuar të dielën për lajmi.net edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 20:35 min policia  ka pranuar informatën për  të  shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja  ka ndodhur në  rrugën ” Galip Badivuku” ne Vushtrri. Nga hetimet fillestare behet e ditur se si pasojë  e plagëve të  pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar. Njësitet përkatëse policore ndodhen ne vendin e ngjarjes dhe janë  në  kërkim  të  personit të  dyshuar”, ka thënë Zahiti për lajmi.net.

Detaje në lidhje me rastin, pati ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë të cilët kanë kërkuar paraburgimin e 19 vjeçarit, B.D.

“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë.

I pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë.

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është mbajtur seanca e parë ku i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj, të dyshuarit B.D, shkruan lajmi.net.

“Masa e paraburgim të pandehurit B.D., i’u është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pa u bërë plot 24 orë, Vushtrria u përgjak përsëri, shkruan lajmi.net.

Një person me inicialet A.M, i moshës 58 vjeçare fillimisht ka vrarë një grua me inicialet N.H të moshës 42 vjeçare e më pas edhe veten.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për lajmi.net se trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion ndërsa po vazhdojnë hetimet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vetëvrasje”.

“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc  të Vushtrrisë.  Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes  dyshohet se kryesi i veprës,  dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H.,  e më pas  i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Në cilësi të provave  materiale  në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë .  Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e  pajetë dërgohen   në  Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë  hetimet për  veprat penale ” Vrasje  e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti për lajmi.net.

Në lidhje me rastin, janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë të cilët deklaruan se po intervistohen dëshmitarët, shkruan lajmi.net.

“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Lajmi.net ka qëndruar në vendin e ngjarjes, aty ku për media është deklaruar edhe një familjar i viktimës, shkruan lajmi.net.

Rrahim Ajeti, familjar i së ndjerës ka thënë se viktima ka qenë e moshës rreth 40 vjeçare, dhe se nuk ishin burrë e grua me të dyshuarin për vrasje.

Ajeti ka thënë se ajo dhe burri i saj kanë punuar më parë tek biznesi i të dyshuarit për vrasjen.

“Nuk ka pas probleme, ka qenë grua shembullore. Dhashtë Zoti që kjo të jetë viktima e fundit. Kanë punu para një kohe me bashkëshortin. Sipas një informate jo fortë zyrtare është xhelozia, pse ke shku me punu diku tjetër e ke lan te unë”, ka thënë Ajeti para mediave.

Mbrëmë, në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Rrustem Hyseni” në lagjen 4 Llulat, u dëgjuan të shtëna armësh, nga të cilat një person vdiq e tjetri u plagos.

Lajmin për këtë e ka konfirmuar dje edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.

Përmes raportit 24 orësh të Policisë, është thënë se të dyshuarit kanë qenë të armatosur e me maska.

“Prishtinë 25.03.2025-22:25. Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhej në raport.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë se po ndërmerren veprimet e duhura hetimore, shkruan lajmi.net.

Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, ka thënë Prokuroria.

Viktima e këtij rasti është Naser Gashi i cili ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i plagosur ka mbetur Miftar Miftari.

I dyshuari për këtë rast i cili ende ndodhet në arrati është Alban Gashi.

Çka ndërmori Qeveria e Kosovës? 

Ndonëse nga këto vrasje u tronditën të gjithë, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap nga Qeveria apo institucionet e drejtësisë që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot e ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe duke kërkuar nga institucionet e rendit, që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e vrasjeve.

Kurti ka thënë se vrasja është akti më i rëndë që mund të ia bëj njeriu njeriut, dhe siç thotë ai ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet pasi që vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë, pra shoqërisë sonë.

“Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim I menjëhershëm institucional, dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, prej secilin prej nesh”, ka thënë Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka heshtur ndonëse ai në vazhdimësi e përmend e krenohet me uljen e krimeve e sigurinë në Kosovë.

Ai deri tani nuk është deklaruar ende në lidhje me këtë numër të lartë të vrasjeve.

Rastet e fundit e kanë zbehur këtë siguri tek qytetarët, ndërsa nga opozita e quajnë këtë situatë si “urgjencë kombëtare”.

Numri i vrasjeve, plagosjeve, grabitjeve e krimeve të tjera ka pësuar rritje në vendin tonë dhe kjo po e cenon sigurinë e qytetarëve. /Lajmi.net/