Si po e përballojnë ukrainasit dimrin acar pa rrymë e ngrohje mes sulmeve ruse

Është aq ftohtë në banesën e Daryas saqë qeni ka filluar të flejë me të. Dhe, ajo ngroh një tullë ndërtimi në sobën e saj me gaz. “Në shtëpi, detyrohem të vesh dhe të fle me rroba të ngrohta: rroba termale ushtarake, dy palë çorape dhe një batanije. Batanije karpatike, çaj i ngrohtë”, tha ajo,…

Bota

24/01/2026 20:50

Është aq ftohtë në banesën e Daryas saqë qeni ka filluar të flejë me të. Dhe, ajo ngroh një tullë ndërtimi në sobën e saj me gaz.

“Në shtëpi, detyrohem të vesh dhe të fle me rroba të ngrohta: rroba termale ushtarake, dy palë çorape dhe një batanije. Batanije karpatike, çaj i ngrohtë”, tha ajo, duke iu referuar batanijeve të njohura të bëra në malet e Ukrainës Perëndimore.

“Qeni im u fut me mua nën batanije sepse është më ngrohtë”.

Ky dimër ka qenë i rëndë për miliona ukrainas që vuajnë për shkak të ndërprerjeve të papara të rrymës, të shkaktuara nga sulmet e pandërprera dhe të qëllimshme të Rusisë me dronë dhe raketa. Sulmet e kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e ngrohjes dhe rrymës në gjithë vendin.

Që nga të paktën 9 janari, kur ndodhi sulmi më i rëndë rus i Vitit të Ri, ekipet e emergjencës kanë luftuar me kohën për ta përballuar shkatërrimin e shkaktuar nga sulmet ruse. Nënstacionet e dëmtuara. Shtyllat e linjave të energjisë të rrëzuar. Tubat e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë të prishura. Fabrikat e mbyllura.

Kur temperaturat gjatë natës ranë nën minus 13 gradë Celsius më 20 janar, më shumë se 1 milion njerëz mbetën në terr, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas sulmit të fundit rus me afërsisht 300 dronë dhe raketa. Një ditë më vonë, pothuajse 60 për qind e kryeqytetit ishte ende pa energji elektrike.

“Ky është dimër i vërtetë”, tha një punonjës i shërbimeve komunale që po punonte me një ekip për të gërmuar tokën e ngrirë pranë një ndërtese në Kiev. “Është shumë e vështirë të thyhet toka, të thyhet asfalti, është shumë më e vështirë”.

Një nga mënyrat për t’u përballur me këtë gjendje është futja e qenve në shtrat. Siç është edhe tullat që përdoren në ndërtimtari, të cilat njerëzit si Darya i ngrohin në sobat e tyre me gaz dhe pastaj i vendosin mbi një tavolinë, ku lëshojnë ngrohje për një kohë, edhe kur ndalet rryma.

“Thjesht e pamundur”

Darya, e cila nuk deshi ta zbulonte mbiemrin, tha se shtëpia e saj ishte pa ngrohje për një javë para se rryma dhe ngrohja të riktheheshin. Pastaj ato u ndërprenë përsëri. Temperaturat në banesë ishin 2 gradë Celsius ditën e paraprake.

“Ditët e para këtu ishin jashtëzakonisht të vështira”, tha ajo për Current Time, ndërsa pastaj iu drejtua qenit të saj që hungërinte. “Pajtohem plotësisht me ty. As mua nuk më pëlqen”.

Shumica e lagjes “Bregu i Majtë” të Kievit – në anën lindore të lumit Dnjepër – ishte pa energji ose ujë më 20 janar, sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko.

Nëpër qytet, autoritetet komunale kanë vendosur tenda emergjente për ngrohje, që ndriçojnë me një ngjyrë të kuqe oborret e errësuara gjatë natës. Gjatë ditës, vullnetarët nga World Central Kitchen, organizata ndërkombëtare për ndihma ushqimore me bazë në Uashington, shpërndanë supë me mish dhe patate për njerëzit që prisnin në radhë.

“Ne jetojmë në një pallat të lartë dhe nuk ka rrymë. Nëse nuk ka rrymë, sobat nuk punojnë dhe kështu ngelim pa ngrohje. Dhe si mund të ngrohësh ushqimin kur nuk ka rrymë?”, tha Valentyna Kiryakova, një pensioniste, ndërsa priste në radhë për një vakt të ngrohtë për të marrë në shtëpi për mbesën e saj 6-vjeçare.

“Por, është në rregull, po mbijetojmë. Nuk ka gjë, nuk po ankohemi – po mbijetojmë. E kuptojmë që ka luftë: duhet të durojmë, duhet të mbijetojmë”, shtoi ajo.

Po në radhë për një vakt të ngrohtë ishte edhe Katya Prokopenko, e cila tha se mungesa e energjisë elektrike bënte të pamundur gatimin e ushqimit në sobën e saj elektrike.

“Fëmijët shkojnë në kopsht, dhe falë Zotit, atje marrin ushqim. Dhe, kur është fundjave, ja ku jemi”, tha ajo, duke buzëqeshur teksa prishte në radhën e ushqimit.

“Nuk e di çfarë të bëj”

Përveç kopshteve, shkollat në kryeqytetin ukrainas janë urdhëruar të mbyllen deri në shkurt. Zyrtarët komunalë gjithashtu urdhëruan zbehjen e dritave të rrugës për të kursyer energji elektrike.

Kiev nuk është vendi i vetëm që ka pësuar. Sulmet ruse vranë tre njerëz dhe shkaktuan ndërprerje të energjisë në pjesë të rajonit Zaporizhjas, i cili ndahet nga linja e frontit. Në veri, rrjeti elektrik që furnizon pjesët e mbetura të centralit bërthamor të Çernobilit u godit gjithashtu, duke rrezikuar disa nga sistemet emergjente që mbajnë objektin e mbyllur nga zjarri ose rrezatimi.

Ngrohja u ndërpre më 10 janar edhe në banesën e Tetyanas në katin e parë në Kiev, pensionistes së moshuar. Në dhomat ku depërtojnë rrezet e diellit, temperaturat e brendshme luhateshin rreth 5 gradë Celsius; në dhomat pa diell, rreth 2-3 gradë.

“Tani nuk kemi asgjë, përfshirë ujin, kështu që është shumë ftohtë, dhe duhet të veshim rroba dimri brenda”, tha ajo teksa ia tregonte banesën e vet Shërbimit ukrainas të REL-it.

Tetyana dhe burri i saj, i cili sapo kishte kaluar një operacion në zemër, kishin vendosur jastëkë përgjatë dritareve për të mbajtur të ftohtin jashtë, dhe tre radiatorë elektrikë qëndronin të ftohtë për shkak të mungesës së energjisë.

Ditën e mëparshme, ajo dhe burri i saj hoqën dorë nga përpjekja për të qëndruar në shtëpi dhe i lutën të afërmit nëse mund ta kalonin një natë aty.

“Do të duhet të shikojmë opsione të tjera”, tha ajo. “Nuk di me të vërtetë çfarë të bëj”./Radio Evropa e Lirë/