Si mund t’ia hap Prokuroria telefonin Pecit – Koci: Merr urdhër nga gjykata dhe kërkon ekspertizë teknike
Dje u raportua se ministri Faton Peci ka refuzuar të ua jap kodin e telefonit Prokurorisë. Peci është i dyshuar në rastin e kontratës me fabrikën për mbetjet shtazore. Në lidhje me rastin për mos dhënien e kodit, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e njohur, Arianit Koci. Koci fillimisht tha se Peci…

Lajme
Dje u raportua se ministri Faton Peci ka refuzuar të ua jap kodin e telefonit Prokurorisë.
Peci është i dyshuar në rastin e kontratës me fabrikën për mbetjet shtazore.
Në lidhje me rastin për mos dhënien e kodit, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e njohur, Arianit Koci.
Koci fillimisht tha se Peci si i dyshuar ka të drejtën e refuzimit të dhënies së kodit.
“Po. Ka të drejtë. Askush në këtë shtet – qoftë ministër apo qytetar i zakonshëm – nuk është i detyruar ta vetë-inkriminojë veten. Ligji e garanton të drejtën për të heshtur, dhe për të mos ndihmuar në mbledhjen e provave kundër vetes. Kjo përfshin edhe mosdhënien e PIN-it të telefonit.”, tha fillimisht ai.
Koci tha se Prokuroria me urdhër të Gjykatës mundet të kërkoj ekspertizë teknike të hyjë brenda telefonit të Pecit
“Nëse ka dyshime të bazuara dhe prokuroria e sheh telefonin si provë relevante, merr urdhër nga gjykata dhe kërkon ekspertizë teknike për me e depërtu brenda telefonit, pa lejen e ministrit.”, tha avokati.
Koci shtoi se Prokuroria nuk e ka nevojën për “PO”-në e askujt, vetëm duhet të veproj brenda kornizave ligjore.
“Po, por vetëm me vendim gjyqësor. Prokuroria nuk ka nevojë për “po-në” e askujt – por duhet të veprojë brenda kufijve të ligjit. S’mundet me e detyru Fatonin me ia tregu PIN-in, por mundet me përdor mjete digjitale, nëse e arsyeton nevojën para gjykatës.”, u shpreh ai.
Avokati i njohur në fund tha se mosdhënia e kodit nuk është pengim i drejtësisë.
“Mosdhënia e PIN-it nuk është as pengim i drejtësisë e as ndonjë vepër tjetër penale. Është e drejtë e garantuar me ligj.”, përfundoi Koci.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, është intervistuar nga Prokuroria Speciale të martën e kaluar në lidhje më fabrikën për mbetjet shtazore.
Intervistimi i tij ka ardhur pas aksionit që kjo Prokurori ka realizuar në katër lokacione, tek Ministria e Bujqësisë, AUV-i, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.
“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i veterinarisë ë kompanisë përfituese”, pati thënë të martën e kaluar, prokurori i rastit, Admir Shala.
Kurse nga policia kanë thënë se bastisjet janë kryer mbi dyshimet për keqpërodim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë nga Policia e Kosovës. /Lajmi.net/