Si mund të përfitojnë punëtorët pa kontrata nga pakoja e qeverisë? Flet ministri i Financave

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi ka folur lidhur me masat që ka marrë qeveria që të menaxhohet situata me koronavirusin.

Lajme

07/04/2020 18:01

Bislimi thotë se janë 15 masa që janë marrë nga Qeveria, derisa ka folur edhe për cilat kategori do të ndihmohen.

“Janë gjithsej 15 masa dhe synojmë të përmbushim dëmet që janë bërë duke i klasifikuar masën në grupe të caktuara. Pjesa më e rëndësishme janë bizneset që e marrin 55% të pakos.  Përfituesit e skemave sociale për tre muaj marrin nga 30 euro më shumë.  Ata që janë detyru të largohen nga puna përfitojnë për tre muaj pagë minimale, ata që kanë punuar deri më tani po s’kanë pasur kontrata të punës për punëdhënësit duhet t’i fusin në listë të paga dhe t’i pajisin me kontrata 1 vjeçare marrin nga 130 euro”, ka deklaruar ai në Frontal të T7.

Bislimi thotë se të gjithë ata biznese që kanë pasur punëtorë pa kontrata, duhet që t’i regjistrojnë në mënyrë që edhe këta punëtorë të përfitojnë nga skemat.

“Tash secila skemë është e operacionalizuar ku tregohen hapat që duhet të ndjeken. Në qoftë se punëdhënësi e ka kryer obligimin e vet, i ka kryer pagat, atëherë pjesa e 170 euro paguhet në konton e punëdhënësit, mundësia për keqpërdorim është minimale.

“Në qoftë se kanë qenë të punësuar pa kontrata, ata kanë mundësi të futen në masa, në rast se punëdhënësi i tyre i regjistron dhe i pajisë me kontrata. Në qoftë se punëdhënësi refuzon, atëherë ata e raportojnë se janë duke punuar në një ndërmarrje dhe nuk kanë të ardhura të tjera, dhe ne punojmë edhe me ato biznese që refuzojnë t’i regjistrojnë punëtorët”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për kërkesën e veteranëve që të ndihmohen financiarisht gjatë pandemisë.

“Përgjigje ka po s’është pozitive, pakoja është emergjente, i adreson problemet bazike të qytetarëve, ata që janë të atakuar nga varfëria ekstreme, përfituesit e skema sociale, pensionale nuk ka veteran që e ka pensionin nën 170 euro”, tha Bislimi, teksa komentoi edhe propozimin e AAK’së që secilit person të ju ndahen nga 100 euro.

“Idetë e deputetëve nuk na ndikojmë, vetëm krijojnë konfuzion, i kisha lutë secilin me i kry obligimet e veta, nëse deputeti Abrashi mendon ashtu mundet me ju ndihmu punëtorëve të vet”, ka thënë ai.

Bislimi tha se përgjigja që kanë momentalisht për presidentin që ju kërkoi propozimin e mandatarit, është se fillimisht po merren me pandeminë.

“Përgjigja jonë është për momenti ballafaqimi me pandeminë, për arsye se ballafaqimi me pandeminë kërkon mund absolut”, tha Bislimi.