Si i kanë 61 vota për Qeverinë e jo për kryeparlamentare? – Kusari Lila thotë se “formimi i Qeverisë do të bazohet në një marrëveshje politike”

Deputetja e koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari Lila është deklaruar për media pas dështimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovs. Ajo ka thënë se në situatën në të cilën ndodhen, e kanë të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Sipas tyre, nëse partitë opozitare duan të bëjnë Qeverinë ose të jenë pjesë e…

Lajme

21/05/2025 12:11

Deputetja e koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, Mimoza Kusari Lila është deklaruar për media pas dështimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovs.

Ajo ka thënë se në situatën në të cilën ndodhen, e kanë të paqartë se cila është kërkesa e opozitës.

Sipas tyre, nëse partitë opozitare duan të bëjnë Qeverinë ose të jenë pjesë e një Qeverie të opozitës, nuk mund ta bëjnë pa u votuar kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe të konstituohet Kuvendi.

Jemi dëshmitar edhe të një dështimi për vazhdimin e seancës konstituive edhe për të 19-tën herë, ndërsa këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare për komisionin i cili do të duhej të ishe komision në përbërje të të gjitha grupeve parlamentare për votimin e fshehtë të propozuar.

“Prandaj, në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë në të cilën bllokuesit e vetëm janë partitë të cilat sot nuk marrin pjesë në votim. Mbi të gjitha që nuk ka asnjë perspektivë mbi atë se si mund të shkoj ky proces në kohën kur fillimisht kanë deklaruar, siç ishte rasti me deklarimin e kryetarit të LDK-së se mezi presin të bëhet konstituimi i Kuvendit një javë para datës kur ishte caktuar konstituimi i Kuvendit, ndërsa aktualisht e kanë qëndrimin se nuk marrin pjesë në asnjë votim për asnjë kandidat të LVV-së, që është partia që i takon kryetari i Kuvendit. Derisa partitë tjera kanë prezantuar zgjedhje të ndryshme selektive në raport me zgjedhjen tonë, përderisa ne po ushtrojmë një detyrë kushtetuese, ata po prezantojnë qëndrime politike, të cilat nuk do e zhbllokojnë këtë situatë”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo është pyetur edhe në lidhje me deklaratën e Kurtit i cili tha mbrëmë në RTK se i kanë 61 vota për Qeverinë dhe për këtë partitë opozitare duhet ta testojnë atë.

Deputetja e VV-së, tha se këto dy situata janë të ndryshme dhe se formimi i Qeverisë do të bazohet në një marrëveshje politike.

Në lidhje me miliarda eurot që do të humben për shkak të bllokimit të Kuvendit në kuadër të planit të rritjes së BE-së, Kusari-Lila tha se përgjegjësia nuk iu takon atyre.

“Barra e përgjegjësisë të cilën iu po e vendosni vetëm te grupi parlamentar i LVV-së, duhet t’iu bëhet pyetje për ata që vijnë në Kuvend dhe nuk marirn pjesë në Kuvend”, ka thënë Kusari-Lila. /Lajmi.net/