Si i bashkoi Shiroka Pula dy rivalët e vjetër?

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kaluar vite të tëra duke artikuluar dallimet e tyre politike. LVV-ja madje ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të saj mbi kundërshtimin e qeverisjeve të kaluara të PDK-së. Megjithatë, dy rivalët e vjetër gjetën një pikë takimi te emri i Justina Shiroka Pulës.…

Lajme

09/10/2026 14:34

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kaluar vite të tëra duke artikuluar dallimet e tyre politike.

LVV-ja madje ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të saj mbi kundërshtimin e qeverisjeve të kaluara të PDK-së. Megjithatë, dy rivalët e vjetër gjetën një pikë takimi te emri i Justina Shiroka Pulës.

Ish-ministrja e PDK-së u bë kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota pro, pas një marrëveshjeje politike të minutave të fundit që shmangu zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, raporton Radio Evropa e Lirë.

Menjëherë pas zgjedhjes së saj në krye të shtetit, Shiroka Pula premtoi se do të ruajë pavarësinë dhe funksionin unifikues:

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona.”

Mungesa e takimeve dhe zgjidhja e sekondave të fundit

Rruga drejt marrëveshjes nuk ishte e lehtë. Bisedimet mes partive politike u zhvilluan nën presionin e orëve kushtetuese dhe protestave jashtë ndërtesës së Kuvendit, ku kërkoheshin ndryshime në ligjin për Gjykatën Speciale.

Brenda parlamentit, LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së për të siguruar kuorumin për presidentin, ndërsa PDK-ja kërkonte mbështetje për ndryshimet ligjore.

Shmangia e një tjetër procesi zgjedhor ishte përcaktuese në llogaritjet politike. Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shpjegoi besimin e partisë së saj te figura e akademikes:

“Natyrisht në këtë situatë jemi munduar që kemi menduar e kemi vepruar me besimin se akademike Shiroka Pula, profesoreshë Justina, do të kryente me përgjegjësi të lartë mandatin e saj si presidente e vendit. Pra ishte një person te e cila ne kemi besim dhe këtë e dëshmuam edhe me votën tonë e jo vetëm sa një propozim për të shmangur zgjedhjet e reja.”

E pyetur mbi zgjedhjen e një ish-zyrtareje të PDK-së nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Nagavci shtoi:

“Unë besoj që me përgatitjen e saj profesionale, me integritetin e saj, me gjithçka që përfaqëson puna e saj ndër dekada, tashmë ajo është e vetëdijshme për rolin e saj unifikues dhe për përgjegjësitë që si presidente e shtetit ka që të jetë mbi partitë.”

Profil akademik apo profil politik?

Justina Shiroka Pula kishte shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit në periudhën 2008–2011, si dhe deputete e PDK-së deri në vitin 2014. Pas përfundimit të atij mandati, ajo u distancua nga politika aktive duke iu përkushtuar punës akademike në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Akademisë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ku në fund të vitit 2025 u zgjodh kryetare.

Kjo shkëputje më shumë se njëdekadësh nga politika partiake ishte element kyç në pranueshmërinë e saj. Petrit Selimi, i cili e njeh Shiroka Pulën nga koha e angazhimit të përbashkët në PDK, e përshkruan atë si një personalitet të palëkundur:

“Zonja presidente nuk është person me të cilin nëse dikush kujton që mund ta kontrollojë apo mund të bëjë presion apo mund ta ndikojë gabohet, sepse është shumë e pavarur. Ka mendime shumë precize, shumë koncize për gjëra, di me thënë jo, di me thënë po kur duhet.”

Selimi beson se përplasjet e gjata mes LVV-së dhe PDK-së kishin kaluar kornizat politike:
“Nganjëherë problemi nuk ka qenë ideologjik mes PDK-së apo VV-së, por më shumë i një mosdurimi ta quaj njerëzor, një antagonizmi të ndërtuar ndër vite dhe një koncepti qeverisës që kemi parë këto gjashtë vjet të fundit të një nevoje që të gjithë ata që kanë qenë të kaluar të quhen regjim i vjetër.”

Përputhja e interesave partiake

Analisti politik Arben Qirezi vlerëson se pranueshmëria e Shiroka Pulës lidhet drejtpërdrejt me institucionin nga ai vjen dhe jo me të kaluarën e saj partiake:

“Ka shumë njerëz që kanë të kaluar politike. Ajo nuk vjen nga radhët e PDK-së si presidente e Kosovës, por vjen nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Domethënë e kaluara politike nuk çon shumë peshë në atë se a duhet një personalitet të marrë ndonjë detyrë të rëndësishme publike apo jo.”

Sipas Qirezit, vendimi përfundimtar i të dyja palëve erdhi si pasojë e kalkulimeve të pastra politike:

“Interesat janë përputhur edhe të Lëvizjes Vetëvendosje edhe të Partisë Demokratike të Kosovës… miratimi i ligjit për gjykatën speciale dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme ka bërë që këto dy parti të pajtohen për një personalitet më të pranueshëm për të dyja forcat politike.”

Ai shton se sfidë kryesore e mandatit pesëvjeçar të presidentes së re do të jetë ulja e tensioneve në skenën politike:

“Shpresoj se me zgjedhjen e saj polarizimet aktuale në shoqërinë kosovare dhe në politikën kosovare do të tejkalohen, nëse zonja Shiroka Pula do ta luajë rolin unifikues që i takon funksionit të presidentit të shtetit.”

Në vizitat e saj të para pas marrjes së detyrës, Shiroka Pula zgjodhi të ndalojë në Prekaz te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ai i veprimtarit Adem Demaçi — tri figura që përfaqësojnë periudha dhe rryma të ndryshme të historisë moderne të Kosovës.

Se sa do të arrijë ajo të ruajë balancën midis pushtetit dhe pavarësisë, mbetet të shihet gjatë ushtrimit të mandatit të saj kushtetues./lajmi.net/