Si do të dukej viti i suksesshëm 2014 në Kosovë?

Politika dhe realiteti në Kosovë, aktualisht, janë në kurs (drejtim) të përplasjes, e jo të pajtimit.

Opinion

08/01/2014 09:30

Ja se çfarë do të duhej të ndodhte në Kosovë, gjatë këtij viti, për ta cilësuar atë të suksesshëm, dhe për ta pritë fundin e tij në rrethana shumë më të mira.

Reforma zgjedhore do të duhej të bëhej gjatë muajit janar. Marrëveshja për këtë çështje do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse, duke krijuar rrethanat kur do të shmangeshin të gjitha pengesat politike për një pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare.

Legjislacioni i duhur (për këtë çështje) do të duhej të miratohej në Kuvendin e Kosovës, jo më vonë se në muajin mars të këtij viti.

Jo më larg se në javën e tretë të marsit, me 21 mars (më konkretisht), Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të duhej të shpallte datën e 21 shtatorit, si ditë kur do të mbaheshin zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Në këtë mënyrë, pra, me këtë tre-hapësh  (Reforma zgjedhore, Kuvendi, Presidentja) do të bëhej plotësisht e qartë harta rrugore politike e vendit në segmentin shumë të rëndësishëm të legjitimimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Natyrisht, me 21 shtator do të duhej të garantohej po e njëjta cilësi (së paku) e zgjedhjeve, çfarë ishte rasti me zgjedhjet lokale që u mbajtën në nëntorin, dhjetorin e vitit të kaluar.

Zbatimi i Marrëveshjes së 19 prillit (2013) midis Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, e kualifikuar si Marrëveshja e Parë në ndërmarrjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, do të duhej të përmbyllej, në të gjitha segmentet e tij, në pranverën e këtij viti, apo jo më larg se në përvjetorin e Marrëveshjes.

Në këtë mënyrë, do të ndodhte integrimi i plotë i Veriut të Kosovës, i cili, thënë sinqerisht, asnjëherë nuk ishte realisht pjesë e Kosovës, jo nga 17 shkurti i vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, por nga 20 qershori i vitit 1999, kur ndodhi tërheqja e forcave të Serbisë nga Kosova, në vijim të Marrëveshjes së Kumanovës  (9 qershor, 1999).

Në prill të këtij viti, do të duhej të përmbyllej procesi i MSA-së për Kosovën, duke i dhënë kështu një shtytje shumë konkrete procesit të integrimit të Kosovës në BE, një ndërmarrje kyçe për stabilitetin afatgjatë të Kosovës si shtet.

Liberalizimi i vizave, apo krijimi i rrethanave kur qytetarët e Kosovës pa viza do të mund të udhëtojnë në shtetet e BE-së, do të duhej të ndodhte me 1 janar, 2015.

Çdo shtyrje e re në këtë aspekt, do të shtojë tej mase frustrimet e qytetarëve të Kosovës dhe do të rrisë ndjenjat që mëdyshin ardhmëninë e Kosovës në kuadër të BE-së.

Po ashtu, numri i njohjeve të shtetit të Kosovës do të duhej rritur, dhe këtë, pos tjerash, me dy njohje që do të vinin tash nga pesëshja evropiane që tutje vazhdon të mos mbështetë vendimin e 23 shteteve të tjera anëtare të BE-së.

Gjatë këtij viti, është njëmend shumë e rëndësishme që sporti i Kosovës të sigurojë praninë në Botë, jo vetëm në baza individuale, por edhe si reprezentacion shtetëror i Kosovës.

Rritja ekonomike e Kosovës do të duhej të ishte më e madhe se sa e planifikuar (4.1%), apo, ajo do të duhej të mbërrinte nivelin prej 5%, pos tjerash, me ardhjen në tregun kosovar, në kuadër të FDI  (Investimet direkte të jashtme), të një kompanie të njohur perëndimore.

Në segmentin ekonomik dhe social, më në fund do të duhej të stabilizoheshin faktet/statistikat për papunësinë në Kosovë dhe për realitetin social në vend.

Konfrontimi me krimin e organizuar dhe me korrupsionin do të duhej të tregonte rezultatet më konkrete se kurrë, për të dëshmuar që Kosova po përballet si duhet me këtë kërcënim të vazhdueshëm për qëndrueshmërinë e vet si shtet.

Një rishqyrtim gjithëpërfshirës i cilësisë në arsim dhe në shëndetësi do të duhej të bëhej prej autoriteteve vendore, por edhe prej vetë shoqërisë kosovare, sepse është gjithnjë e më e qartë që kemi një rënie të vazhdueshme të kualitetit në këto dy fusha jetike për një vend, për një shoqëri.

Shoqëria kosovare si e tillë, do të duhej patjetër t’i hapë sytë dhe të ballafaqohet me shtimin evident të jotolerancës në baza fetare, brenda vetë shqiptarëve të Kosovës, e cila tash e sa kohë ka kaluar kufijtë e të qenit një dukuri margjinale.

Ky fenomen ka një rritje me progresion gjeometrik dhe lëkund vetë themelet e shtetit të Kosovës.

Kjo Listë e synimeve të Kosovës gjatë këtij viti, mund të zgjerohet tutje, pos assesi nuk mund të reduktohet.

Por, kur e shohim, të gjithë ne, se si ka filluar ky vit në Kosovë, shumica dërrmuese e këtyre synimeve kapërcejnë realitetin dhe strehohen në një imagjinatë fantastiko-shkencore.

Politika dhe realiteti në Kosovë, aktualisht, janë në kurs (drejtim) të përplasjes, e jo të pajtimit.

Ky është edhe drejtimi që kanë marrë interesat jetike të shtetit të Kosovës dhe politika e vendit.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)