Si arriti 20-vjeçarja në Gjilan ta mashtronte Postën që t’i vjedhte dy telefona në vlerë prej 2650 eurosh

Një 20 vjeçare nga Komuna e Gjilanit, i ka vjedhur dy telefona në vlerë prej 2650 eurosh, duke e mashtruar punëtorin e postës. Për këtë ajo ka përdorur identitet të rremë.

Lajme

10/12/2021 16:21

Rasti ka ndodhur në shtator të këtij viti, por e njëjta është ndaluar dje nga Policia e Kosovës nën dyshimet për kryerjen e vepres penale “mashtrimi”.

Gazeta Express ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe në vijim sjell detaje nga ky rast.

Sipas Prokurorisë Themelore të Gjilanit, “e dyshuara më 18 shtator të vitit 2021 në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme duke e përdorur metodën e mashtrimit ka mashtruar punëtorin e një poste, në atë mënyrë që fillimisht blen një sim kartelë nga shitësit ambulant, e më pas tek një mobishop në Prishtinë porositur telefon të markës “Samsung S21 Ultra” dhe një telefon të markës “Samsung Z Fold 3”, në vlerë 2650 euro, duke u paraqitur me emër të rremë M.H.”

Por, kur punëtori i postës ia sjellë telefonat në Gjilan, e dyshuara bëhet kinse po hyn në një shtëpi për t’i marrë paratë dhe arrinë të ikë nga dera a pasme.

“Punëtori i postës ia sjellë në Gjilan, e pandehura e pret te Xhamia e Medresës nga ku i kërkon të shkojë në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, dhe duke e vënë në lajthim kinse po hynte në shtëpi t’i merrte paratë, merr pakon me telefona dhe hyn në oborrin e një shtëpie dhe del nga dera e pasme duke e mashtruar punëtorin”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Më pas telefonat i shet në Prishtinë, njërin e shet në një mobishop, për nga distanca, jo larg mobishopit ku i kishte porositur dhe tjetrin e shet te një shok i saj. Njërin e shet 700 euro e tjetrin 750 euro.

“Më pas shkon në Prishtinë dhe telefonin “Samsung Ultra S21”, duke u paraqitur me emër të rremë A.H., e shet tek një mobishop tjetër në vlerë 700 euro, ndërsa telefonin “Samsung Z Fold 3” për shumën 750 euro ia shet një shokut të saj nga Prishtina. E njëjta në mënyrë të kundërligjshmë krijon dobi pasurore për vete duke vepruar në dëm të pasurisë së të dëmtuarit për vlerën 2650 euro”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

“Me çka ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së”, vijon prokuroria.

Por, e dyshuara i krijon probleme edhe vajzës me inicialet A.H., pasi kishte përdorur identitetin e saj për ta shitur telefonin në mobishop, dhe viktima A.H., ftohet në stacion për intervistim.

“Duke përdorë identitetin e rremë të A.H., e shet telefonin për çka e dëmtuara A.H., më 29 tetor të vitit 2021, ftohet për t’u intervistuar në Stacionin Policor në Gjilan. Me ѯka e dyshuara vjedhë identitetin e të dëmtuarës. Me çka kishte për të kryer veprën penale “vjedhja e identitetit dhe pajisja e çasjes nga neni 336 paragrafi 1 të KPRK-së”, thotë prokuroria.

Në gjithë këtë situatë policia ka arritur t’i bie dje në gjurmë të dyshuarës me ç’rast është arrestuar dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare e cila ka kryer veprën e mashtrimit ndaj punëtorit të postës së shpejtë duke marrë një porosi në vlerë prej 2650 € dhe është larguar pa e paguar porosinë. Me urdhër të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia me anë të raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Ndaj të njëjtës prokuroria ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjilanit për caktimin e paraburgimit dhe gjykata pritet që të vendosë për të.