Shumë armë nëpër duar të kosovarëve- Policia i konfiskoi 168 armë pa leje veç në muajin korrik
Vera në Kosovë po del të jetë e përgjakur këtë vit. Disa vrasje kanë ndodhur në javët e fundit, duke tronditur vendin, shkruan lajmi.net. Vrasja në Gjilan Javën që shkoi në qytetin e Gjilanit ndodhi një vrasje e trefishtë, ku autorët janë ende në kërkim. Viktimat nga ky krim i rëndë janë Selami dhe Edmond…

Lajme
Vera në Kosovë po del të jetë e përgjakur këtë vit.
Disa vrasje kanë ndodhur në javët e fundit, duke tronditur vendin, shkruan lajmi.net.
Vrasja në Gjilan
Javën që shkoi në qytetin e Gjilanit ndodhi një vrasje e trefishtë, ku autorët janë ende në kërkim.
Viktimat nga ky krim i rëndë janë Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir) dhe Abedin Hoxha.
Ndërsa të dyshuarit, që ende ndodhen në arrati, janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonisin dhe Engjullin.
Arsyeja e të shtënave me armë dyshohet se ishte fajdeja.
Një vrasje tjetër e rëndë ndodhi në Prizren, ku viktima u ther me thikë e si shkak i plagëve të marra humbi jetën.
“Më datë 10 gusht 2025, rreth orës 20:30 min, në Prizren, në lagjen ‘Tusuz’, në rrugën ‘Lapidari’, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shokë, më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të Spitalit ‘Daut Mustafa’, në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësorë ku më pas është dërguar në QKUK-së në Prishtinë ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës.
E për të dyshuarin në këtë rast gjykata vendosi masën e paraburgimit prej një muaji.
“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Vrasja në Hajvali
Edhe kjo javë nuk filloi më mirë. Mbrëmë në Hajvali ndodhi një vrasje.
Një mosmarrëveshje e çastit në komunikacion ka përfunduar tragjikisht mbrëmjen e 11 gushtit në Hajvali të Prishtinës, ku një burrë u vra me armë zjarri.
Hetimet e para tregojnë se pas një konflikti për parkim, i dyshuari Xh.N mori një armë zjarri dhe e qëlloi në kokë M.M. Viktima u dërgua me urgjencë në QKUK, por mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë.
Më shumë armë të konfiskuar në muajin korrik 2025 se në korrik 2024
Rritja e numrit të vrasjeve në vend po shkakton shqetësim tek qytetarët për sigurinë e tyre.
Mbajtja e armëve është po ashtu fenomen në rritje. Kjo e dëshmon edhe statistika e muajit korrik të këtij viti në krahasim me korrikun e vitit 2024.
Në një përgjigje për lajmi.net, Policia e Kosovës ka treguar se vetëm në muajin korrik të këtij viti janë konfiskuar 168 armë dhe 1571 municione.
Kurse, në korrik të vitit 2024, policia kishte konfiskuar 142 armë dhe 2018 municione.
Gjatë këtij viti kanë ndodhur dhjetëra vrasje që kanë tronditur vendin dhe po kërkohet që autoritet e rendit që të të rrisin përpjekjet për parandalimin e krimeve, zbardhjen e rasteve dhe vendosjen e rendit e sigurisë në gjithë vendin./Lajmi.net/