Shtyhet seanca kundër grupit famëkeq “AlbKings”

Seanca e paralajmëruar për të sot (30 janar) në lidhje me grupin famëkeq “AlbKings”, është shtyrë për datën 26 mars. Kjo për faktin se të dyshuarit nuk qenë prezentë. Njëri nga të dyshuarit e ka njoftuar avokatin në momentin e fundit se nuk do të paraqitet në seancë, ndërsa është konstatuar se i njëjti ka…

Lajme

30/01/2025 11:32

Seanca e paralajmëruar për të sot (30 janar) në lidhje me grupin famëkeq “AlbKings”, është shtyrë për datën 26 mars.

Kjo për faktin se të dyshuarit nuk qenë prezentë.

Njëri nga të dyshuarit e ka njoftuar avokatin në momentin e fundit se nuk do të paraqitet në seancë, ndërsa është konstatuar se i njëjti ka ikur në një fshat në Serbi.

Seanca ka qenë e mbyllur.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 janar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N. dhe E.S., lidhur me rastin e grupit famëkeq, “Albkings”.

Sipas njoftimit të organit të akuzës, aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.

Ndaj të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje”, “Shantazhi” dhe “Shtrëngimi”, transmeton Klankosova.tv

Thuhet se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.

“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, u tha në njoftim.

Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.