Shtyhet për nesër raporti për punën njëvjeçare të Avokatit të Popullit

Shqyrtimi i raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit në Komision Parlamentar është shtyrë për nesër.

Lajme

13/05/2015 16:46

Shtyrja është bërë, pasi që Avokati i Popullit, Sami Kurteshi gjatë ditës, kishte aktivitete të tjera, si pjesëmarrja e tij në intervistimin e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke paraqitur arsyetimin e Kurteshit, kryetarja e Komisionit, Lirie Kajtazi, paralajmëroi shqyrtimin e raportit për nesër në orën 9:00.

Kajtazi para anëtarëve të Komisionit, deklaroi se tashmë në këtë komision kishte arritur raporti i përkthyer, dhe së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit, vendosën që nesër në ora 9:00, të kenë të pranishëm Sami Kurteshin, për të diskutuar për punën njëvjeçare të këtij institucioni.

Pikë tjetër e rendit të ditës, e që nxiti debat mes anëtarëve të Komisionit, ishte edhe caktimi i një dite për dëgjim publik për amendamentet që pritet t’i bëhen institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe dy projektligjeve tjera.

Vërejtje për oraret e këtij komisioni pati anëtarja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, sipas së cilës, ndërrimi i orareve brenda ditës, duhet të dihet se për çfarë arsye po bëhet dhe se për hir të kujt po ndërrohet agjenda e komisionit.

“Sot e keni ndërruar orën. Jo vetëm sot, po na ndodh shumë herë po e ndërrojmë brenda ditës, jo në ora 13 jo në ora 14, gjatë gjithë kohës po ndërron termini edhe brenda ditës. Të paktën tri ditë përpara duhet njoftuar. Nuk e di në agjendën e kujt po përshtatet agjenda e anëtarëve të Komisionit”, tha Haxhiu.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së Komisionit, Lirie Kajtazit, e cila arsyetoi ndërrimin e orarit të këtij takimi, për të mos i lënë në pritje anëtarët e komisionit, të cilët pas mbledhjes, kishin takim me përfaqësuesit e OSBE-së. Ajo madje me tone nervozizmi tha se më nuk do të mërzitet për atë se a do ju bie të presin anëtarëve të Komisionit nëpër sallat e kuvendit apo jo.

“Arsyeja pse është lëvizur sot ka qenë pikërisht ajo që është hequr pika e rendit të ditës, pika numër tre, që konsiderojmë që kishte marrë mjaftë kohë te raporti i avokatit, edhe për mos me ju lënë me pauza shumë në takimin që kemi caktuar me Shefin e OSBE-së. Ka qenë kjo arsyeja që kemi dashur të ofrojmë terminin, të mos ju lëmë juve me ndejtë. Por, po e shoh që paskam gabuar që kam menduar për kohën tuaj. Herën tjetër nëse imponohet një në mëngjes, një pas dite e di që ju jeni të palodhshëm, kështu që nuk mendojmë këtë asnjë moment. Do të thotë arsyeja ka qenë kjo që mos me ju lënë juve me u mërzitë, që për herë të tjera s’do të mërzitemi fare”, tha Kajtazi.

Ndërkohë, pas këtyre diskutimeve u vendos që më 25 maj nga ora 9 në ambientet e hotel Sirius të mbahet dëgjim publik me të gjitha grupet e interesit lidhur me ndryshimet që pritet të ndodhin në disa projektligje e që prekin fushat që përfaqëson ky komision, transmeton KosovaPress.