Shtohet numri i vjedhjeve në kohën e iftarit, dy prej tyre mbrëmë në Han të Elezit
Në komunën e Hanit të Elezit vetëm mbrëmjen e 10 marsit u evidentuan dy vjedhje dhe një mbeti tentativë vjedhjeje, me ç’rast më së shumti u vodhën stoli ari, në vlerë të përgjithshme rreth 250 mijë euro, konfirmoi Policia në Han të Elezit. Pronari i shtëpisë, Fadil Brava, nga fshati Postenik i Hanit të Elezit…
Lajme
Në komunën e Hanit të Elezit vetëm mbrëmjen e 10 marsit u evidentuan dy vjedhje dhe një mbeti tentativë vjedhjeje, me ç’rast më së shumti u vodhën stoli ari, në vlerë të përgjithshme rreth 250 mijë euro, konfirmoi Policia në Han të Elezit.
Pronari i shtëpisë, Fadil Brava, nga fshati Postenik i Hanit të Elezit tregoi për KosovaPress se gjatë kohës së iftarit persona të panjohur hynë në shtëpinë e tij dhe në atë të vëllait, duke shfrytëzuar mungesën e familjarëve. Sipas tij, nga shtëpia u vodhën stoli ari, dy pushkë gjuetie si dhe u shkaktuan dëme të tjera.
Brava: Hajnat na vodhën shtëpinë time dhe të vëllait gjatë iftarit
“Rasti ka ndodhur në kohën e iftarit në orën 5:40, bredna nja gjysmë ore, 40 minuta.
Si kanë arritur personat të hyjnë brenda në shtëpinë tuaj?
Po ne nuk kemi qenë në shtëpi. Këtu dy shtëpiat e vëllait edhe e imja janë thyer. Unë kam qenë në punë atje te restoranti, me familje punoj. Nusja ka qenë te shtëpia e vëllait këtu,atë kohë e kanë shfrytëzuar.
Domethënë, janë dëmtuar edhe shtëpia jote edhe shtëpia e vëllait?
Po,të dyja… Te unë janë marrë dy pushkë gjuetie edhe ari i shoqes, domethënë çka ka pasur krejt.
Përafërsisht çfarë vlere kanë pasur?…
E vlera nuk po e di edhe çka të them. Te gjuetia, pushkë gjuetie dihet, atë ari, ari s’po di çka të them…
Më pas e ka bërë policia kontrollin, domethënë shihet fërkemat kah kanë ecur, po mbetet te ata tani …Diku kah ora 7 e kemi hetuar që janë thyer shtëpitë. Nga vëllai, domethënë t’u shkue në xhami, edhe ky më ka njoftuar me i thirrë policinë. Ne kemi ardhur prej restorantit…Po dëmtimet nuk më dhimbsen çka i kanë marrë, sa shtëpinë që e pashë ashtu. Veç në luftë i kam parë kështu çka kanë bërë.
Gjërat nëpër tokë ?
Po, po, po, s’ta merr mendja domethënë, çdo send e thyer, e rrëzuar”, tha Brava.
Komandanti i Stacionit policor në Han të Elezit, togeri, Nuri Dema, tha se dy vjedhje përfshijnë vjedhje të stolive të arit dhe armëve të gjuetisë, në njërën shtëpi në vlerë rreth 200 mijë euro, ndërsa në tjetrën rreth 50 mijë euro. Sipas tij, një rast ka mbetur vetëm tentativë.
“Përmes kësaj videoje jemi të njoftuar për rastet e djeshme që kanë ndodhur mbas mbrëmjes së djeshme me datën 10 mars 2026. Janë raportuar tri raste të ndara: dy janë vjedhje të rënda, ndërsa njëra është vetëm vjedhje në tentativë. Personat e dyshuar kan hyrë deri në shtëpi, kanë demoluar, por nuk kanë vjedhur asgjë sipas deklaratës së pronarit. Kurse në dy rastet tjera të ndara në njërën shtëpi janë vjedhur dy pushkë gjuetie dhe një sasi e arit diku rreth 50 mijë euro, stoli ari, kështu ka deklaruar pronari. Kurse në shtëpinë tjetër janë vjedhur diku rreth 200 mijë euro ari, stoli ari, pra që në vlerë rreth 200 mijë euro. Njësitë kanë procesuar rastet, hetimet po ashtu, jemi në bashkëpunim me prokurorinë dhe gjatë ditës sot me datën 11 mars 2026 rasti është dorëzuar momentalisht te njësia e krimeve në Prishtinë dhe po i presim faktet konkrete”, tha Dema.
Deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar për këto vjedhje në komunën e Hanit të Elezit.