Shteti nuk ndërhyn në konakun e rrezikuar të Kurtesh Sylejmanit (Video)
E njohur me emrin 'Shtëpi banimi - Kurtesh Sylejmani’, është ky objekti që besohet të jetë ndërtuar rreth vitit 1880.
ShowBiz
Kjo shtëpi ndodhet në zonën “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë, më saktësisht tek rruga “Mehmet Kaçurri”, shkruan lajmi.net.
Lokacioni i kësaj shtëpie është i hapur nga të dy anët e saj, ndërsa kufizohet me dy rrugë përmes së cilave ka dalje në rrugët kryesore të Prishtinës, dhe në rrugët dytësore tek Hamami i Vogël dhe Hamami i Madh.
Shtëpia e cila ka plot 136 vjet, është e rrethuar me ndërtesa tjera të rëndësishme historike dhe arkitektonike.
Pronari i saj ka qenë i ndjeri Kurtesh Sylejmani, ndërsa trashëgimtare janë tri vajzat e tij.
Por, edhe pse është e regjistruar si pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore, njëra prej trashëgimtareve të shtëpisë, Lejla Sylejmani, tha se deri sot askush nuk ka bërë asgjë për ta rregulluar atë.
Shumë afër saj ndodhen edhe Xhamia e Jashar Pashës, e shumë dyqane tregtare dhe zejtare, ashtu siç njihej edhe Prishtina e vjetër.
Shtëpia e njohur me emrin “Kurtesh Sylejmani” është e njohur si njëra prej shtëpive më të vjetra të qytetit, një shembull i rrallë i ndërtesave të banimit të llojit të saj në këtë zonë.
Ajo është e ndërtuar me sistemin “bondruk”me gur dhe drunj, e që është tipike për arkitekturën popullore të Prishtinës. Ndërkaq, kati i sipërm i shtëpisë është i ndërtuar me “Erker”, e që kryesisht është përdorur në mesjetë, e që konsiderohej si një ndër muret më të mira për t’u ruajtur nga sulmuesit.
Edona Durguti, Drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, ka thënë se një nga problemet për trajtimin e kësaj shtëpie ka qenë qasja e penguar në të nga pronarët e saj, ku në anën tjetër trashëgimtarja e kësaj shtëpie ka thënë të kundërtën.
Ajo bëri të ditur për lajmi.net se edhe pse shtëpia është regjistruar nën mbrojtje të shtetit, deri më sot nuk është marrë asnjë vendim për të, madje as nuk i kanë dhënë leje ta ndërtojnë një tjetër e as ta rinovojnë atë.
“Ne nuk kemi kërkuar të mbrohet shtëpia jonë sepse kjo është pronë e jona dhe trashëgimi nga prindërit, por vetë Instituti i Trashëgimisë Kulturore e ka regjistruar si nën mbrojtje të shtetit”, tha ajo.
E kur është pyetur se çka është ndërmarrë deri më sot rreth kësaj shtëpie, ajo tha me plot bindje se nuk është bërë asgjë.
“Edhe në qoftë se i pyetni a ka bërë diçka shteti për të deri tani, po ju them me plotë bindje se asgjë. Vetëm që po na ndalon ta ndërtojmë apo ta rinovojmë vetë, nuk po na japin leje”.
Ndërkaq, frika nga rrëzimi i kësaj shtëpie është shfaqur tek të gjithë banorët përreth kësaj lagje. Një person i cili punon shumë afër kësaj shtëpie, bëri të ditur se para një kohe shumë të shkurtër tjegullat e pullazit rrëzoheshin në tokë dhe banorët e kalimtarët rrezikoheshin. Ai tha për lajmi.net se me vetë iniciativë, disa persona kanë hipur mbi çati dhe i kanë larguar disa prej tyre.
E problemi i tillë sikur me familjen Kurteshi ekziston edhe me shumë familje tjera, e kryesisht në këtë zonë ku ka edhe shumë shtëpi tjera të vjetra e që janë nën mbrojtje të shtetit.
Gjatë kohës kur lajmi.net ishte tek kjo shtëpi, ka biseduar edhe me banorë të tjerë përreth.
Jo vetëm kësaj familje që nuk i japin leje renovimi apo ndërtimi, ata thonë se e gjithë lagjja nuk merr leje për arsye se konsiderohet të jetë zona më e vjetër e qytetit dhe është nën mbrojtje të shtetit. Ndërsa ky i fundit, ka shumë pak raste kur ka ndërmarrë konservimin e këtyre shtëpive. /Lajmi.net