Shteti nuk merr përgjegjësi për pjesëtarët institucioneve të sigurisë që mbetën pa pagesa për orët shtesë
Njësitë e Veçanta të Policisë së Kosovës, të cilat çdo ditë janë në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit dhe luftës kundër krimit në gjithë vendin, veçanërisht në veri, janë përballur dje me një zhgënjim të madh. Pavarësisht dhjetëra e qindra orëve shtesë të punuara, zyrtarët policorë nuk i kanë marrë pagesat për punën…

Lajme
Njësitë e Veçanta të Policisë së Kosovës, të cilat çdo ditë janë në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit dhe luftës kundër krimit në gjithë vendin, veçanërisht në veri, janë përballur dje me një zhgënjim të madh. Pavarësisht dhjetëra e qindra orëve shtesë të punuara, zyrtarët policorë nuk i kanë marrë pagesat për punën jashtë orarit në pagën e fundit.
Përveç Policisë së Kosovës, edhe një numër i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë përballur me situatën e njëjtë për mospagesën e shtesave në pagën e marrë dje.
Sipas rregullores në fuqi, këto pagesa janë obligative dhe duhet të ekzekutohen në mënyrë të rregullt.
Ky zhvillim ka shkaktuar pakënaqësi të thella në radhët e policëve të Kosovës dhe ushtarëve të FSK-së, të cilët shpesh angazhohen përtej orarit të zakonshëm në operacione të ndryshme për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Pas këtyre zhvillimeve, mbrëmë reagoi edhe Sindikata e Policisë, ku nga kjo Sindikatë thonë se, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kanë marrë asnjë komunikim zyrtar nga qeveria për këtë çështje.
“Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.
Sindikata e Policisë e Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojmë zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme për këtë çështje”, thuhet në reagim.
Çka tha ministria e Financave?
Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policët, duke mohuar përgjegjësinë rreth kësaj situate, e duke deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
Nga ministria është thënë se Thesari vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.
Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
Postimi i plotë:
“Sqarim në lidhje me çështjen e ekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.
MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit.