Shteti hesht ndaj vrasjeve në pyjet e Kosovës

Ende nuk ka ndonjë deklarim zyrtar të zyrtarëve qeveritar të Kosovës, lidhur me vrasjet dhe plagosjet e shtetasve kosovar, në disa pyje, rreth kufirit me Serbinë. 

Lajme

30/08/2014 11:17

Qeveria e Kosovës ka preferuar të heshtë pas vrasjes së 17-vjeçarit, Ardian Ibrahimi, dhe plagosjes së dy vëllezërve të tij, Albionit dhe Albertit, të cilët kanë treguar se janë sulmuar me armë zjarri nga persona të uniformuar brenda territorit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Albioni ka deklaruar të premten se dorasi kishte qenë i veshur me uniformë të Serbisë. Përveçqë nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga Qeveria, gazeta nuk ia ka dalë as të marrë prononcim nga ministri i Brendshëm në detyrë, Bajram Rexhepi.

Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk është e informuar zyrtarisht për persona të cilët enden në territorin e Kosovës të veshur me uniforma të tilla. Këtë e ka dëgjuar vetëm nga banorët e kësaj pjese, por asnjëherë nuk kanë identifikuar persona të tillë.

Një incident ka ndodhur edhe para dy ditësh në brezin kufitar në rrethin e Podujevës, ku një shtetas i Kosovës është plagosur e një tjetër konsiderohet i zhdukur, porse ku gjenden ata nuk ka informata zyrtare.

Edhe sulmi ndaj tre vëllezërve Brahimi nga Kolloverga e Komunës së Mitrovicës, të premten, është bërë kur ata kishin shkuar për të prerë dru. (Koha Ditore)