Shtëpia e Operës “Ibrahim Rugova” do të ndërtohet në qendër

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, siguron se Ligji për Sponsorizime do të jetë pjesë e pakos së parë të ligjeve që Qeveria do të dërgojë për miratim në Parlament. Ai pret që ligji të kalojë në pjesën e parë të vitit.

Lajme

17/01/2015 19:34

Edhe pse ky ligj ka implikime në buxhetin e shtetit për së paku 8-12 milionë euro në vit, Shala mendon se të mirat për kulturën e sportin do të jenë shumëfish më të mëdha. Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Shala thotë se “do të hapet rruga për një raport shumë më cilësor me sponsorët” në fusha si filmi e sporti.

Ndërkohë, Shtëpia e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” përfundimisht nuk do të ndërtohet në vendin e nisur në afërsi të Fakultetit Teknik. Shala thotë se projekti i ka tejkaluar afatet ligjore. Po ashtu, kostoja prej rreth 25 milionë eurove është e papërballueshme.

Shala ka treguar se është takuar me Shpend Ahmetin dhe po kërkojnë një lokacion të ri, më në qendër të Prishtinës, për objektin që mban emrin e liderit historik të LDK-së.

Ministri Kujtim Shala konsideron se problemi kryesor gjatë mandateve të kaluara në këtë ministri – që duket se është dukuri për tërë qeverinë – është që punët të përqendrohen më shumë te struktura politike.

“Struktura politike duhet të artikulojë politikat, ndërkaq implementimi i tyre duhet t’iu takojë strukturave të profesionistëve”, thotë Shala, në këtë intervistë.

Prandaj, thotë se ndër punët e para që kanë nisur pas marrjes së detyrës më 12 dhjetor, ka qenë krijimi i grupeve punuese që do të përgatisin statutet, rregulloret, udhëzimet administrative etj., që lidhen me punën dhe funksionimin e administratës dhe institucioneve që funksionojnë nën MKRS, në mënyrë “që të kemi një efikasitet tjetër, të ri”.

Ministri i MKR-së, i cili njëherësh është dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë, lë të kuptohet se do ta përdorë ndikimin e tij që buxheti për sektorët që ai drejton të rritet, në vitet në vazhdim.

Shala, i cili dhe vetë merret me libra letrarë dhe shkencorë, premton mbështetje edhe për botuesit. Por, thotë se nuk do të ketë financim drejtpërdrejt, por nëpërmes shtimit të fondit të bibliotekave.

Ai, po ashtu, premton përmirësim të infrastrukturës sportive. Mes tjerash, thotë se sivjet do të përfundohen punimet në shumë palestra sportive, të cilat kishin filluar qe shumë vjet.

Në buxhetin e sivjetmë, investimet kapitale janë përqendruar te sporti. “Investimet kapitale do të jenë 9 milionë euro dhe kjo nuk është shifër e vogël. Kanë rënë investimet kapitale te kultura, meqë sa kam kuptuar nuk ka pasur dhe projekte të reja”, thotë ministri Shala, në këtë intervistë për EO.

Kreu i MKRS-së ka bërë të ditur se Ligji për Kinematografinë, i cili i ishte dërguar Kuvendit për miratim nga qeverisja e kaluar, tashmë është tërhequr dhe do të plotësohet. Mes tjerash, në ligjin e ri pritet që “Kosova Filmit” t’i kthehet statusi i shtëpisë për prodhimin e filmave. Por, Shala thotë se kjo nuk ishte arsyeja pse ai u tërhoq, porse ai binte ndesh me disa nga direktivat e BE-së.