Shtëpia e Kulturës në Runik drejt revitalizimit
Shtëpia e Kulturës në Runik do të rikthehet në jetë pas një periudhe të gjatë të heshtjes, duke u shëndërruar në një qendër moderne të artit dhe kulturës. Nismëtare e kësaj ringjalljeje është një nga themeluesit e Fondacionit “Hajde” dhe artisti i njohur vendas, Petrit Halilaj, i cili ka sjellë vizionin dhe energjinë për ta…
Lajme
Shtëpia e Kulturës në Runik do të rikthehet në jetë pas një periudhe të gjatë të heshtjes, duke u shëndërruar në një qendër moderne të artit dhe kulturës.
Nismëtare e kësaj ringjalljeje është një nga themeluesit e Fondacionit “Hajde” dhe artisti i njohur vendas, Petrit Halilaj, i cili ka sjellë vizionin dhe energjinë për ta rikthyer këtë hapësirë në zemër të jetës kulturore.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress menaxherja e fondacionit “Hajde”, Lendita Idrizi, duke theksuar se projekti nuk është thjesht një restaurim, por një përpjekje për të lidhur të kaluarën e Shtëpisë së Kulturës me mundësitë e saj për të ardhmen.
“Krejt kjo ka fillu në vitin 2023, kur Petrit Halilaj e ka pa si të nevojshme me pas një hapësirë si Villa Romana në Firence, në Itali, ku edhe ka pas shkëmbime të artistëve që kanë shku nga Kosova në Itali për rezidencë, dhe është pa nevoja me pas një qendër të tillë edhe në një vend të Kosovës si Runiku. Meqë Petriti vjen edhe nga Runiku, dhe e ka pasë projektin edhe shfaqjen “Shkrepëtima” që e ka bërë vitin 2018 në Shtëpinë e Kulturës në Runik, ka fillu me mendu për revitalizimin e kësaj hapësire, mbas diskutimeve edhe të kujtimeve të qytetarëve të Runikut. Pas kësaj, krejt kjo ka fillu në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ku është bërë edhe memorandumi midis Ministrisë së Kulturës edhe Komunës së Skenderajt edhe fondacionit “Hajde” për projektin ideor të kësaj shtëpie të kulturës në Runik.”-tha Idrizi.
Në zemër të këtij projekti qëndron përpjekja për të mos humbur kujtesën e një hapësire që ka qenë dikur gjallëri kulturore për komunitetin. Duke ruajtur strukturën ekzistuese dhe duke e pasuruar me elemente moderne.
“Arts Atelier” janë munduar me mbajtur shumicën e ndërtesës ekzistenciale. Çdo gjë që ka me u ndërtu e re, ka me qenë jashtë mureve që veç ekzistojnë. Kryesisht renovimi më i madh ka me u bërë brenda hapësirave, brenda mureve që veç ekzistojnë. Është një bashkëpunim i këtyre dy arkitekturave të asaj kohe, viteve, kur është bërë kjo ndërtesë, edhe muret e jashtme me materiale të cilat janë shumë të ngjashme me ato që veç ekzistojnë. Kryesisht “Arts Atelier” janë munduar që këtij projekti me i dhënë më shumë karakter brenda hapësirave ekzistuese, për shembull: teatri, muzeu, hapësirat e bibliotekës. Në këtë rast çka u shtu prej kësaj që nuk ekziston janë për shembull arkivi, arkivimi i materialeve të ndryshme ose arkivimi edhe i veprave të artit, skulpturave të ndryshme, po këto janë kryesoret, si dhe gjithashtu sistemi i ujitjes, i rrymës, ka me qenë më bashkëkohor, i kohës tonë.” – u shpreh Idrizi.
Idrizi tregon se me mbështetjen e Fondacionit “Hajde”, është hapur thirrja për projektin ideor, ndërsa më pas Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me “Alb Architect” dhe “Arts Atelier”, ka hartuar projektin detajues, i cili është dërguar në IKMM( Instituti I Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve) për shqyrtim. Ndër të tjerash ajo tregon për bashkëpunimin e ngushtë qe kanë pas si organizatë me Ministrinë e Kulturës.
“Ministria e Kulturës këto iniciativa i mbështet gjatë gjithë kohës, sidomos kur është në fjalë një shtëpi publike si Shtëpia e Kulturës. Edhe e ka parë të arsyeshme meqë edhe Shtëpia e Kulturës është në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore me mbrojtje të përkohshme. Gjithashtu, e ka parë të arsyeshme që me fillu procesin edhe me revitalizu edhe këtë shtëpi, sikur institucionet tjera të trashëgimisë kulturore që po revitalizohen. Deri tash me Ministrinë e Kulturës kemi pasur mbështetje shumë të madhe dhe kemi qenë në takime të shumta për me ardhë deri te kjo pikë. Tash na mbetet me pa procesin, fazën tjetër të këtij projekti.”- tha ajo.
Fondacioni “ Hajde” e sheh këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt decentralizimit të artit dhe kulturës në Kosovë, duke synuar që aktivitetet kulturore të mos mbeten vetëm në qytetet e mëdha.
“Sa i përket artit dhe kulturës momentalisht çdo gjë po ndodh në qytete të mëdha si Peja, Prishtina, Gjilani apo Ferizaj, e shohim shumë si mundësi të madhe me u decentralizu pak edhe arti dhe kultura dhe me i arrit edhe disa vende ku kanë potencial si kjo e Runikut. Për fondacionin “Hajde” kjo do të thotë shumë sepse pastaj me bashkëpunim me komunën e Skenderajt planifikojmë që aktivitetet tona që janë edhe në Prishtinë me i bartë edhe atje. Përveç të tjerash, kemi fillu edhe me mendu që pak a shumë me dërgu iniciativa, aktivitetet edhe në Runik, që qytetarët e Runikut veç me pa që Shtëpia e Kulturës po renovohet edhe veç me qenë të përgatitun për hapjen e saj dhe aktivitetet që kanë me qenë pjesë e Shtëpisë së Kulturës, në bashkëpunim me fondacionin “Hajde” në këtë rast, apo edhe organizata të tjera kulturore që dojnë me përfitu prej këtij rasti edhe me çu artin edhe më tej.”- përfundoi ajo.
Hajde! Foundation është një organizatë jo‑fitimprurëse me bazë në Kosovë që mbështet artin dhe kulturën në rajon përmes granteve për prodhim, një program rezidencash për artistë, një hapësirë multifunksionale në Grand Hotel Prishtina dhe ringjalljes së Shtëpisë së Kulturës në Runik, një qendër komunitare arti ku artisti Petrit Halilaj kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij para se të shkatërrohej gjatë luftës.