Shtatë Mrekullitë

Kryetari Lexhendar ka ndarë kandidatët e vet në shtatë kategori. Mundet që numri shtatë të mos jetë i rastësishëm, duke ditur mrekullitë.

Lajme

30/10/2013 15:31

Kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, ka prezantuar kandidatët që do të jenë pjesë e Asamblesë nga kjo parti, pas 3 nëntorit.

Shtatë kategoritë kryesore që do ta përcaktojnë edhe karakterin qeverisës janë dizajnerët grafikë, ekspertët e teknologjisë informative, arkitektet, hulumtuesit nga shkencat sociale, njësia propaganduese, ekonomistët dhe menaxhuesit, artistët dhe zbavitësit.

Kryetari Lexhendar tregoi se po bëjnë një organizim të mirëfilltë. Dhe, me një kategorizim të qartë si ky, ata sigurohen që pushteti i tyre të etablohet, funksionojë efektivisht dhe të ketë jetëgjatësi në përputhshmëri me vullnetin dhe dëshirat e tyre.

“Dizajnerët do të kujdesën që informata e duhur të paraqitet ashtu siç i konvenon më së miri Partisë. Paraqitja e të dhënave që tregojnë suksesin tonë është jetike për ekzistencën tonë në pushtet”.

“Grupi i dytë, ekspertët e teknologjisë informative, janë ata që do të automatizojnë shumicën e punëve dhe proceseve në mënyrë që të kemi më shumë kontroll ndaj çdo gjëje në komunë. Arkitektet e kanë përgjegjësinë e përcaktimit të vlerave arkitektonike dhe organizimit urbanistik në përputhje me programin e Partisë”

“Hulumtuesit nga shkencat sociale do të jenë gjithmonë të angazhuar në analizimin e nevojave dhe dëshirave të qytetarëve ashtu që premtimet tona të jenë përherë në përputhshmëri me to”.

“Grupi i propaganduesve, i përbërë nga regjisorë, aktorë dhe komunikues të masave, kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të suksesshme të bindjes së qytetarëve për sukseset dhe arritjet tona në pushtet”.

“Ekonomistët dhe menaxhuesit, të cilët edhe prej emrit mund ta dimë se do të angazhohen për sigurimin e politikave profitabile dhe rrjedhën e tyre në mënyrën më të lehtë për të gjithë“.

“Kategoria e fundit, artistët dhe zbavitësit kanë një detyrë të vështirë mbi supet e tyre e që është përkujdesja që masat të jenë gjithmonë të disponuara, ashtu që të shkëputen sa më shumë nga politika e ne të jemi rehat në kryerjen e punëve tona të brendshme”.

Mosha mesatare e kandidatëve për Asamble është 25 vjeç, e cila sipas Kryetarit tregon entuziazëm dhe freski. Ndërsa nga 60% femra dhe 40% meshkuj sa janë, vetëm njëri nga ta është në lidhje martesore.