Shqiptarit i kapen 489 bimë narkotike në Angli, kështu iu arsyetua policisë

21:17 | 7 Dhjetor 2021

Një tjetër shqiptar ka rënë në prangat e policisë britanike për shkak se akuzohet për kultivim kanabisi apo siç njihet rëndomtë “shtëpi bari”.

I arrestuari është Malbor Luzi, i cili doli para gjykatës së Leeds pasi u kap me 489 bimë narkotike që i kultivonte brenda një dhome. Bimët ishin në faza të ndryshme të rritjes që tregon se ishte një investim në vazhdim e sipër.

Jessica Heggie, proceduese, tha se bimët ishin në gjendje të prodhonin kanabis me një vlerë prej 268,950 paund.

Shtëpia ishte e pajisur me pajisje të sofistikuara për ngrohje, ndriçim dhe rritje. Në shtëpi ishin vendosur freskuesit e ajrit për të parandaluar që era e kanabisit të dilte jashtë.

Luzi, në momentin e arrestimit posedonte një celular, para cash, një kartë bankare dhe një kartë identiteti. 33-vjeçari, pa adresë fikse, u intervistua dhe pretendoi se ishte kërcënuar nga të tjerë që e urdhëruan të kujdesej për bimët.

Luzi tha gjithashtu se ai kishte qenë përgjegjës vetëm për ujitjen e bimëve. Ai u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit dhe u burgos për dy vjet.