Shqiptarët nuk i besojnë Zaevit, Lëvizja Besa bojkoton protestën e nesërme

Lëvizja politike shqiptare në Maqedoni “Besa”, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në protestën gjithëpopullore të thirrur për nesër nga partitë opozitare, e cila ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Nikolla Gruevskit.

Lajme

16/05/2015 17:41

Përmes një komunikate kjo lëvizje thotë se është për rrëzimin të qeverisë aktuale në Maqedoni, por po ashtu shpreh dyshimet edhe te qëllimet e vërteta të liderit politik opozitar maqedonas, Zoran Zaev.

Lëvizja Besa, vlerëson se nga përgjimet e publikuara nga LSDM, janë ruajtur zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, e që sipas tyre ky është një kalkulim i Zaevit.

“Lëvizja BESA shpreh shqetësimin e saj se ‘E vërteta e Maqedonisë’ gjithnjë e më shumë po bëhet ‘E vërteta për VMRO-DPMNE-në’, ngase edhe pas 30 e më shumë përgjimeve të publikuara nuk doli thuaja asgjë që flet për bëmat e partnerit shqiptar të VMRO-DPMNE-së, pra Bashkimit Demokratik për Integrim”.

“Në këtë mënyrë Zaev u ka dhënë të drejtë legjitime shqiptarëve të dyshojnë se ai ka vazhduar të kalkulojë gjatë gjithë kohës me BDI-në, që atë parti – të inkriminuar e të kapur deri fyt në 13 vitet e pushtetit – siç kanë pohuar edhe vetë zyrtarët e LSDM-së, pastaj ta përdor për një qeveri të ardhshme”.

“Kjo na bën të dyshojmë se qëllimi i LSDM-së nuk ka qenë shpëtimi i Maqedonisë dhe ndërtimi i një shteti të lirë, demokratik dhe të drejtë, por vetëm ndërrimi i pronarit të shtetit”.

“Ne me keqardhje konstatojmë se edhe pas kaq vitesh dhe pas kaq deklarimesh, LSDM-ja ka ndryshuar fare pak në raport me shqiptarët”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Besa.