​Shqiptarët në Luginë po përjashtohen nga institucionet shtetërore serbe

Shqiptarët në Luginë të Preshevës po përjashtohen nga institucionet shtetërore serbe. Asnjë prej tyre nuk është pranuar në konkursin e fundit të Policisë së Serbisë. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shqiptarët nuk po pranohen as në institucione tjera. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se duhet të ketë reciprocitet, ashtu siç ndodhë me…

Lajme

28/05/2025 15:06

Shqiptarët në Luginë të Preshevës po përjashtohen nga institucionet shtetërore serbe. Asnjë prej tyre nuk është pranuar në konkursin e fundit të Policisë së Serbisë. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shqiptarët nuk po pranohen as në institucione tjera.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se duhet të ketë reciprocitet, ashtu siç ndodhë me serbët në Kosovë.

“Po diskriminohemi çdo ditë. E kemi shifrën e fundit ku asnjë polic shqiptar nuk është pranuar në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Dhe ky diskriminim është pasojë se çdo ditë po diskriminohemi. Nga 43 policë të pranuar, asnjë shqiptar në Bujanoc e Preshevë nuk është punësuar dhe pastaj kemi në 22 të punësuar në Medvegjë, asnjë shqiptar nuk është i punësuar. Edhe pse nga numri që e kemi ka qenë 11 persona të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Qasja e ministrit Sveçla është për tu përshëndetur sepse duhet të përdoret reciprociteti”, deklaron ai.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se Serbia po bën spastrim etnik.

“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre. Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”,ka shkruar Sveçla.

Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë po ndodhë çdo ditë. Përveç në konkurset për punësim në institucione publike, në masë të madhe po bëhet edhe pasivizimi i adresave.

“Nuk e kemi ende numrin e saktë dhe janë duke u përpunuar nga terreni. Mirëpo, realisht e kalon mbi 8 mijë shifrën [e pasivizimit]. Dhe ata çdo ditë janë duke u pasivizuar njerëzit, sepse realisht çdo ditë pasivizohen nga 10 dhe pastaj pas një muaji kthehen 2. Kjo shifër është duke u rritur, kryesisht ka ndodhur spastrim etnik në Medvegjë. Në Medvegjë komplet spastrimi etnik ka kaluar në heshtje, ndërsa tani ka filluar edhe në Bujanoc dhe Preshevë”, shprehet ai.

Nënkryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa thotë se Serbia po synon që shqiptarët t’i dëbojë nga tokat e tyre.

“T’i bëjë shqiptarët e pasigurt në autoktoninë e tyre, që t’i dëbojë. Njëlloj është programi dhe elaborati edhe sot aktiv që ka qenë aktiv gjatë viteve të 90-ta. Absolutisht në theks të veçantë ka bërë gjithmonë për 100 vite të tëra presione dhe padrejtësi ndaj shqiptarëve edhe në Kosovë edhe në Maqedoni edhe në Luginë të Preshevës. Tani ka ndërruar metoda, nuk përdoret tyta automatikësh, nuk përdor autoblinda, nuk përdor tanke, po përdor mekanizma juridik absolutisht të pambështetur edhe vet me kushtetutën e tyre. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në këtë sens ata i përdorin pamëshirshëm në mënyrë që të dëbojë shqiptarët nga këtu. Dhe këto toka të mbesin të boshatisura”, shprehet Mustafa.

Ai kërkon nga autoritet vendore në Kosovë që të veprojnë njëjtë si Serbia, sic po bën me shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“Institucionet në Kosovë e kanë gjënë më të lehtë për të vepruar njëlloj siç po vepron Serbia me serbët në Republikën e Kosovës. Po të njëjtën masë, duhet të veprojnë për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Nëse Serbia kërkon një gjë për serbët në Kosovë, pse të njëjtën gjë mos ta kërkojnë autoriteti i Kosovës, qeveria, presidenca dhe parlamenti për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pa dyshim se atë çfarë kërkojnë serbët e Beogradit për serbët në Kosovë, po ta njëjtën gjë ta kërkojnë edhe autoritet qendrore për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo do të jetë arma politike më e efektshme dhe proporcionale me Serbinë”, përfundon Mustafa.

Numri i banorëve shqiptarë në Preshevë përbën 93.7 për qind të popullsisë, në Bujanoc 62 për qind, ndërkaq në Medvegjë banojnë rreth një mijë shqiptarë.