Shqiptarët me inteligjencë mesatare më të ultë në Evropë
Jakub Marian, matematikan dhe gjuhëtar çek, ka publikuar në blogun e tij një hartë interesante ku tregon inteligjencën mesatare të vendeve të Evropës.

Lajme
Harta është krijuar sipas statistikave të vitit 2007, thotë Marian në tekstin e bashkangjitur.
Në këtë hartë Shqipëria del si vendi me koeficientin më të ulët të inteligjencës në Evropë, me një mesatare 83 të IQ-së, ndërsa vendi me inteligjencë më të lartë është Finlanda, me mesatare 103.
Nga vendet fqinja mesataren më të lartë të intelegjncës sipas kësaj harte, e kanë banorët e Serbisë, 93.
Marian, sa i përket Kosovës, thotë se atë e ka përfshirë në një vend me Serbinë, pasi statistikat ku ai e ka bazuar vizualizimin, kanë qenë të tilla.
Në rastin e kësaj harte, kosovarët mund të jenë pak në mëdyshje, nëse duhet ndjerë mirë apo jo, pasi që në njërën anë mund të mburren edhe ata për koeficient të inteligjencës më të lartin në rajon, ndërsa në anën tjetër, të indinjuar që vendi i tyre është lënë brenda hartës së Serbisë.
Autori thotë se me këtë hartë nuk ka pasur synim të tallë asnjërin nga vendet që nuk kanë dalë mirë dhe se atë e ka vizualizuar në bazë të një raporti serioz shkencor të botuar nga Heiner Rindermana, ku janë përdorur të dhënat e testimeve të inteligjencës (IQ) nëpër vendet evropiane.
Cilësia e arsimit, sipas tij, në mënyrë të konsiderueshme ndikon në rezultatet e testeve të inteligjencës, dhe IQ-të më të ulëta tregojnë se ato vende kanë akces në arsim më pak cilësor dhe nuk lidhet me inteligjencën e lindur.
Tutje, ai shton se, janë edhe kushtet e testimit, ato që ndikojnë në rezultatet: vendet e pasura kanë më shumë gjasa për kushte më të mira gjatë testimit, thotë Marian.
“Në këto statistika, Kosova është pjesë e Serbisë dhe Krimea pjesë e Ukrainës. E për fat të keq, Mali i Zi nuk ka qenë i përfshirë fare në to”, shkruan përpiluesi çek i kësaj harte. (Përgatiti: lajmi.net)