Shqipëria me vetëm 12 pjesëtarë në KFOR

Të dhënat e fundit që ofron KFOR-i janë se në Kosovë, aktualisht prezent janë 4.609 pjesëtarë që vijnë nga 31 shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere të saj. Kontribut në kuadër të KFOR-it jep edhe Shqipëria, por rritja e prezencës së saj ndër vite është tepër simbolike, raporton lajmi.net.

Lajme

09/02/2016 20:28

 

Kontributi amerikan në sigurimin e paqes në Kosovë është i pazëvëndësueshëm. Për më tepër,bashkë me Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë, vazhdojnë ta bartin barrën më të madhe të ruajtjes së paqes në vend.

Në kuadër të KFOR-it, këto janë katër shtetet që kanë numrin më të madh të ushtarëve prezent në Kosovë.

Derisa SHBA-të kanë 683 pjesëtarë, Gjermania ka 666, pasuar nga Italia me 571 e  ndjekur nga Austria me 558 pjeëstarë, Turqia me 385, Sllovenia me 323  e Polonia me 238, raporton lajmi.net.

Shtetet kontribuese te NATO-s ne KFOR

Ndërkohë, vende si Franca,  Britania e Madhe apo Kanadaja, tashmë kanë numër tejet simbolik të prezencës së tyre në Kosovë.

Nga 4.609 pjesëtarë të KFOR-it, shtetet që kanë më së paku ushtarë në kuadër të kësaj force të NATO-s në Kosovë janë Britania e Madhe me 1 pjesëtarë, Lituania 1, pasuar nga Franca me 2, Norvegjia 2,  apo Kanadaja me 5 pjesëtarë, raporton lajmi.net.

Shqipëria bën pjesë në NATO që nga viti 2009, kur edhe u pranua në këtë aleancë në Samitin e Bukureshtit, por prezenca e saj ndër vite në kuadër të KFOR-it ka shënuar rritje fare simbolike.

Në fillim ishte vetëm një pjesëtar nga Shqipëria në kuadër të KFOR-it, i cili shërbente në administratë.

Ndërkohë, shtatë vjet më vonë, Shqipëria merr pjesë me pjesëtarë të saj në KFOR me 12 persona, aq sa ka edhe Irlanda, apo një më shumë se Bullgaria e Republika Çeke që kanë nga 11 pjesëtarë./lajmi.net

 

 

.