Shqipëria hap të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare. Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i…
Lajme
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare.
Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore), shkruan ATSH.
Ky është grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hap me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Konferenca e 1-rë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kjo Konferencë vjen pas një vendimi të Këshillit të ministrave të çështjeve Evropiane më 25 mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.
Konferenca e 2-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin 1: Themeloret, duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike; Reforma e administratës publike; Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria.
Kriteret ekonomike: Kapitulli 5 – Prokurimi publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.
Konferenca e 3-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin VI: Marrëdhëniet e Jashtme, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 31 – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.
Konferenca e 4-t Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt Ndërqeveritare. Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin II: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve, Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës, Kapitulli 9 – Shërbimet financiare, Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.
Konferenca e 5-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 22 maj 2025 u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin III: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 16 shtator 2025 u mbajt Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që iu kushtua grup-kapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Kapitujt përfshinin: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27), të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.