Shqipëria bllokon 25 ton misër me aflatoksinë që vinte nga Serbia
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar në Shkodër një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia. Ngarkesa është ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, teksa po hynte në territorin shqiptar nga Mali i Zi. Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve laboratorike është konstatuar prania e aflatoksinës B1 në nivele mbi normat e lejuara…
Lajme
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar në Shkodër një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia.
Ngarkesa është ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, teksa po hynte në territorin shqiptar nga Mali i Zi.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve laboratorike është konstatuar prania e aflatoksinës B1 në nivele mbi normat e lejuara për Shqipërinë.
Edhe pse kjo sasi mund të konsiderohet e pranueshme në vendet e Bashkimit Evropian, standartet shqiptare janë më të rrepta dhe nuk e lejojnë hyrjen e këtij produkti në treg.
Sasia e bllokuar, që ishte e destinuar për qytetin e Elbasanit dhe e kategorizuar si misër blegtoral, është ndaluar menjëherë nga AKU Shkodër për të shmangur çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve dhe konsumatorëve.
Ndërkohë, autoritetet e AKU-së në Shkodër kanë ndërhyrë edhe në një fermë qumështi në fshatin Trush, ku pas inspektimeve janë konstatuar disa parregullsi në procesin e prodhimit dhe ruajtjes së produktit.
Si pasojë, subjekti është bllokuar deri në plotësimin e kushteve të nevojshme higjieno-sanitare.
AKU ka theksuar se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.