Shqipëri: Arrestohet polici që falsifikoi protokollin e aksidentit

Efektivi i Komisariatit të Librazhdit u ndalua pas ankesës së bërë nga disa qytetarë në Linjën e Gjelbër Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka ndaluar sot një efektiv të Policisë Rrugore pranë Komisariatit të Librazhdit.

Lajme

17/08/2015 21:19

Seit Sula, lindur në Peqin dhe banues në Durrës, u arrestua si i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, parashikuar nga nenet 248 dhe 186/2 të Kodit Penal, raporton shekulli.al.

Nga të dhënat e mbledhura nga SHÇBA-ja rezulton se në datë 10.08.2015, shtetasi A.M. teksa drejtonte mjetin me targë AA 105 AT, ka humbur kontrollin duke u përplasur me bordurën e trotuarit pranë Komisariatit të Policisë Librazhd me pasojë dëme materiale. Pasi ka shkuar në vendngjarje, punonjësi i Policisë Rrugore Seit Sula nuk ka kryer veprime në lidhje me këtë aksident sipas procedurave standarde.

Dy ditë me vonë ai ka përpiluar praktikën e aksidentit, pas ankesës së ardhur nga disa qytetarë në Linjën e Gjelbër, duke falsifikuar datën në procesverbalin e konstatimit të shkeljes si dhe në dokumentet e tjera, duke i paraqitur këto veprime sikur ishin kryer ditën e aksidentit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.