Shqetësuese: 40 persona të paralizuar po konsiderohet se vdiqën nga mungesa e shërbimeve të duhura shëndetësore

Mungesa e shërbimeve të duhura shëndetësore, mungesa e infrastrukturës së duhur për qasje, përfshirja në arsim dhe punësimi janë disa nga problemet kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Kosovës. Gjendja po konsiderohet se nuk është përmirësuar as gjatë viti 2022, pavarësisht se nga kryeministri i vendit ishte shpallur vit i…

Lajme

30/11/2022 22:36

Mungesa e shërbimeve të duhura shëndetësore, mungesa e infrastrukturës së duhur për qasje, përfshirja në arsim dhe punësimi janë disa nga problemet kryesore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Kosovës. Gjendja po konsiderohet se nuk është përmirësuar as gjatë viti 2022, pavarësisht se nga kryeministri i vendit ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara.

E, vetëm gjatë pesë viteve të fundit 40 persona me aftësi të kufizuara kanë vdekur si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Kjo, sipas drejtorit të HANDIKOS, Afrim Maliqit ka ardhë nga mungesa e shërbimeve të duhura shëndetësore.

”Nga informatat që i kemi nga departamenti të pensioneve brenda 5 viteve afro 40 persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë kanë vdekë si pasojë e komplikimeve shëndetësore që vijën nga shkaktari i aftësisë së kufizuar, që do të thotë mungesa e duhur e shërbimeve shëndetësore ka mungu dhe këta persona si pasojë e asaj ka ndërru jetë, e që në vendet e tjera mos të them kjo është e pakuptimtë që ndërroi jetë për një plagë dekubitare prej infeksioneve urinare, dhe ushqueshmërisë jo të mirë të duhur mos pasjes së rehabilitimit kontrakturave dhe deformiteteve të cilat i marrin për shkak të mugesës së rehabilitimit e të cilat shkojnë deri tek rrezikimi i jetës dhe marrja e jetës”, tha ai për emisionin “Shenjë”.

Njësia Spinale në kuadër të SHSKUK-së, themelimi i të cilës është kërkuar nga kryeministri Kurti, po konsiderohet se do të parandalonte vdekjet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga këto komplikime.

“Kemi kërkuar informata jemi takuar me zv.ministrin e shëndetësisë dhe zv.ministri i shëndetësisë tekstualisht a ka thënë kryeministri ka kërkuar që të themelohet kjo njësi, ndërsa ministria ende nuk ka marrë ndonjë veprim. Imagjinojeni, kryeministri po u dërgon email që kjo njësi të themelohet ndërsa ministria ende nuk e zbaton”, shtoi Maliqi.

Por, në ShSKUK thonë se që nga viti 2005 ekziston reparti spinal në kuadër të Klinikës së Orotopedisë, është ekzistente që nga viti 2005. Pavarësisht se ky repart nuk merret vetëm me personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, drejtori i këtij reparti, Xhavit Gashi, thotë se prioritet janë personat me aftësi të kufizuara.

“Trajtohen me prioritet sa kemi mundësi, sa ka mundësi shteti që t’iu ofrojë shërbime edhe ne i ofrojmë asnjëherë nuk kemi hezituar. Mirëpo lista është më shumë përveç personave me aftësi të kufizuar këtu ofrohen shërbime edhe për personat të cilët kanë aksidente lëndime trauma, edhe e gjithë esenca e intervenimeve e shtyllës kurrizore është që një person i cili ka qenë mobil dhe ka punuar jetën e vet pas aksidentit dhe lëndimit të shtyllës kurrizore është që të mos bëhet person me aftësi të kufizuar, pra sa më shpejtë që është e mundur të rikthehet në rutinën jetësore të tij. Numri i operimeve në shtyllë kurrizore sipas statistikave që i kemi mat para pandemisë ka rezultuar nga 70 në 100 operacione në vit, ndërsa vetëm për tre-katër muajt e fundit janë realizuar më shumë se 30 operime në shtyllë kurrizore, të cilat kanë qenë tumor të gjitha moshave po mendoj është operuar që nga fëmijë që ka qenë 13-14 vjeçar deri tek 50 60 vjeçar”, tha ai.

Në anën tjetër punësimi i personave me aftësi të kufizuara vazhdon të mbetet një ndër problemet kyqe. Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara thotë se çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor.

Në praktikë kjo gjë nuk është se zbatohet. Për këtë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se ky institucion është duke punuar për këtë çështje.

”Çështja e dytë që në e kemi fillu për hetim e që ka dal si rezultat i këtyre takimeve ka të bëjë me punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe zbatimin e ligjit për punësimin e personave që kanë atësi të kufizuar. Ligji nuk është zbatuar nga institucionet, nuk jemi në gjendje të mirë, nuk kemi një të dhënë të saktë të numrit të personave me aftësi të kufizuar që janë të punësuar në institucionet publike dhe private. Në anën tjetër ka qenë vendim i kryeministrit këtë vit drejtuar agjencive shtetërore që me zbatu ligjin, por nuk janë krijuar parakushte për zbatimin e këtij ligji me vetë faktin se nuk janë ofruar vende të reja të punës ku këta persona munden të punësohen”, tha ai.

Derisa për të rriturit me aftësi të kufizuara punësimi është problem, fëmijët hasin në vështirësi sa i përket shkollimit. Në shkolla ende mungojnë mësuesit mbështetës.

Luljeta Kabashi nga Divizioni për fëmijë me nevoja të veçanta në Ministrinë e Arsimit ka bërë të ditur se e rreth katër mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në procesin e arsimimit në vend, derisa ka raste kur ata refuzohen nga shkollat.

“Numrin e saktë e kemi të nxënësve që janë në sistem të arsimit, domethënë sipas sistemit të mbledhjes së të dhënave brenda Ministrisë së Arsimit domethënë në qendrat burimore janë 291 nxënës në vitin shkollor 2021/2022 dhe janë 3 mijë e 965 nxënës në shkolla të rregullta të raportuar nga drejtorët e shkollave. Infrastruktura ka pësu ndryshime do të thotë në përqindje të madhe shkollat kanë qasje fizike për me pranu fëmijë me nevoja të veçanta dhe kërkohet që brenda shkollës të bëhet ritransformimi në kuadër të mësimdhënësve. Fillimisht ato duhet ta ndryshojnë kulturën në mënyrë që të gjithë fëmijët të trajtohen sipas mundësive që i kanë ata dhe me i dhënë mundësi të barabarta secilit prej tyre pastaj t’i ndryshojnë praktikat e deritanishme duke i refuzu fëmijët me nevoja të veçanta”, tha ajo.

Ndërsa Avokati i Popullit, Naim Qelaj shprehet se çështja e asistentëve është një ndër çështjet e cila duhet të ngrihet.

“Ka shumë çështje të tjera që janë ngritur, secili grup i kategorisë së caktuar i personave me aftësi të kufizuar ka specifikat e veta zakonisht vështirësitë ose gjendjen më të vështirë e kanë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë për shkak të vetë natyrës së aftësisë së kufizuar dhe gjendjes shëndetësore në të cilën mund të ndodhen këta persona. Problematikë në vete ka paraqitur mungesa përcjellësve pastaj lidhen edhe shumë shërbime të tjera që janë detyrim i shtetit me ofru për këto kategori që nuk janë në gjendjen e duhur ose nuk ofrohen ashtu siç janë përcaktuar me ligj”, u shpreh ai

Ndryshe, në Kosovë mbi 27 mijë qytetarë janë përfitues të skemës financiare për personat me aftësi të kufizuara. Ndërkaq, viti 2022 shënon vitin për personat me aftësi të kufizuara. /Lajmi.net/