Shpërthimi në Zveçan, Peci e cilëson sulm terrorist

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci e quan sulm terrorist hedhjen e dy granatave të dorës mbrëmë në objektin e Postës së Kosovës në këtë qytet. Ai potencoi se sulmet po kryhen nga grupi i njëjtë i organizuar, e që sipas tij po bëhen me qëllim për të ngjallur frikë dhe panik tek qytetarët…

Lajme

01/04/2025 17:37

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci e quan sulm terrorist hedhjen e dy granatave të dorës mbrëmë në objektin e Postës së Kosovës në këtë qytet. Ai potencoi se sulmet po kryhen nga grupi i njëjtë i organizuar, e që sipas tij po bëhen me qëllim për të ngjallur frikë dhe panik tek qytetarët zveçanas.

Kryetari Ilir Peci kërkoi nga qytetarët e vendit të tij që mos të kenë panik nga këto sulme, pasi që sipas tij gjithçka është nën kontrollin e policisë.

Ai tha se është grupi përafërsisht i njëjtë që po kryen sulme të tilla, që sipas tij e kanë qëllimin e njëjtë.

“Këto sulme në komunën e Zveçanit veçse janë të ditura herë pas here. Por, edhe ky sulm në mesnatë rreth orës 12:20 ka ndodhur, ne si zakonisht e dënojmë këtë sulm terrorist. Ne mendojmë që qëllimin e kanë për të ngjallur frikë tek qytetarët. Unë e kam një kërkesë për qytetarët e Zveçanit, mos ta ndiejnë veten të panikosur. Policia e Kosovës menjëherë ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe gjithçka për momentin është qetë. Gjithçka është nën kontrollin e policisë…Sa më shpejt të kapet ai grup terrorist dhe të del para drejtësisë…Sipas disa informatave, ai grup është i njëjtë, nuk është hera e parë që ka ndodhur në komunën e Zveçanit. Është grupi i njëjtë, e kanë një qëllim të tillë. Përafërsisht është grupi i njëjtë, mund të ketë lëvizje të personave, por grupi është i njëjtë”, tha Peci.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se hetimet po vazhdojnë rreth këtij rasti dhe se situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë delikate, por e qetë.

“Ka dëme materiale të cilat ju i keni parë, mirëpo nuk ka të lënduar në njerëz. Polica është duke u marrur me rastin, me hetimet…Nuk mund të them diçka për grupin, për njerëzit, për ata të cilat i kanë gjuajtur granatat e dorës aty. Është pjesë e hetimit dhe jemi duke u marrur seriozisht me të. Situata në veri të vendit vazhdon të delikate, por e është e qetë. Nuk ka diçka që e rrezikon sigurinë e përgjithshme në veri të vendit…Ka disa muaj që ne nuk kemi pasur shpërthim të granatave të dorës në Zveçan. Mirëpo, për neve është krejt normale që ne t’i zhvillojmë hetimet tona. Ajo çka kanë dyshuar prej disa muajve më herët, që ne kemi një numër shumë të madh të policëve jo shqiptar. Janë diku rreth 60 për qind të policëve që janë jo shqiptar, që neve na mundëson ta kryejmë punën shumë mirë, në veri të vendit”, potencoi Elshani.

Sulmin e sotëm me granat dore të objektit të Postës së Kosovës në Zveçan e ka dënuar edhe kryeministri në detyrës i Kosovës, Albin Kurti i cili e ka cilësuar si sulmin me elemente terroriste.

Kryeministri në detyrë, ka shkruar në Facebook se ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Edhe nga Posta e Kosovës e kanë dënuar ashpër këtë sulm, duke kërkuar nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët të jetojnë në një mjedis të sigurt