Shpërthejnë orët elektrike në një banesë në Prishtinë, panik te banorët (Foto)

Kanë shpërthyer sot pas mesditës orët elektrike në një ndërtesë banimi në qendër të Prishtinës, mbrapa Kinemasë ABC.

Lajme

16/05/2015 16:51

Shpërthimi ka ndodhur në katin përdhes të banesës dhe përveq dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.

Policia dhe zjarrfikësit kanë arritur me kohë në vendin e ngjarjes, duke reaguar në shuarjen e zjarrit.

Rrustem Uka, zëdhënës ndërrimi i zjarrfikësve të Kosovës, ka thënë se nuk ka pasur asnjë të lënduar dhe policia ka arritur në vendin e ngjarjes me kohë.

“Në momentin që e kemi marrë lajmin për rastin në fjalë, kemi ardhur në vendin e ngjarjes për një kohë shumë të shkurtër sepse fatmirësisht sot ka qenë fundjavë dhe komunikacioni nuk ka qenë I ngarkuar. Të lënduar nuk ka. Zjarri siç po shihet është në hyrje të ndërtesës, domethënë në orët e rrymës elektrike. Një problem është në këtë hyrje të ndërtesës sepse nuk ka një vend ku mundet me u ventilu, me u largu gazërat që janë liruar. Mirëpo ne jemi këtu për t’u ndihmuar banorëve për t’i evakuuar ata nëse ka nevojë”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve Uka.

aa

Sipas Ukës, banorët nuk janë të rrezikuar, por deri në ventilimin e ajrit të tymosur, i cili është i koncentruar në katet e sipërme të ndërtesës, banorët nuk mund të qarkullojnë pa lejen e Policisë.

Luljeta Hasani, banore në këtë ndërtesë, u shpreh se gjithçka filloi me kërcitjen e orëve elektrike, të cilat, sipas saj, ngjasonin me kërcitjet në luftë. Por ajo mbetet shumë e kënaqur me punën e bërë nga pjesëtarët e policisë, të cilët e kanë kryer detyrën në mënyrë shumë korrekte.

“Si e kam parë tymin, flaka, kërcitnin orët sikur me qenë në luftë. E kam lajmëruar policinë dhe menjëherë kanë ardhur. Nëpërmes policisë, unë I kam lajmëruar policinë, ende pa e kryer telefonin, ata kanë qenë këtu. Policia i ka ra në një rrugë tjetër, këta zjarrfikësit kanë hyrë kah tuneli që me qenë rruga e kalueshme dhe kanë ardhur menjëherë”, tha Hyseni.

Ajo tregoi se një rast të ngjashëm kanë pasur edhe më parë me orët elektrike.

Edhe banorët tjerë u shprehën shumë të kënaqur me punën e policisë, sepse ka arritur në vendin e ngjarjes për një kohë shumë të shpejtë.