Shpenzimet e avokatëve për të akuzuarit nga Gjykata Speciale do t’i paguajë shteti

Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër pagesën e avokatëve për të gjithë personat të cilët akuzohen nga Gjykata Speciale.

Lajme

07/03/2015 14:29

Në mbledhje e mbajtur sot, ekzekutivi ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë arsyetimit të këtij projektligji, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se qëllimi kryesor i këtij projektligji është mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedura të ndërlidhura për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.

Gjatë kësaj mbledhje, kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel Ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA.

U miratua edhe Projekt-rregullorja për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.