Shpallet konkursi për kryeprokuror të Speciales

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur sot konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës të së Kosovës, dhe konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Lajme

01/08/2019 12:28

Kjo u bë pas miratimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës të Kosovës. Kryetari i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se të dy konkurset do të jenë te hapura 15 ditë, nga dita prej kur njoftimi të dal në gazetën shtetërore.

“Pas një pune intensive, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, ekspertët, sot para jush e kemi nxjerrë draftin përfundimtar të rregullores. I kemi pranuar të gjitha rekomandimet që kanë qenë të pranueshme, që e kanë rritur avancimin e rregullores së mëparshme, garantojnë demokracinë dhe ka ndryshime esenciale”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi bëri të ditur se procesi i emërimit të prokurorëve do të sigurojë edhe një procedurë të pavarur të KPK-së.

“Përmes miratimit të kësaj rregullore dhe përmes zgjedhjes së kandidatëve duke pasur parasysh aftësitë menaxheriale, përvojën. KPK ka organizuar shumë takime dhe ka avancuar politikën në gjithë transparencën dhe ka zhvilluar dëgjim publik”, tha ai.

Në këtë mbledhje, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi u shpreh se duhet të ketë incizim të bisedës me kandidatët. Sipas tij, nuk ka kritere për intervistimin e kandidatit, ndërsa incizimi nuk duhet të shërbejë për nevoja të procedurës. Ndërsa Bahri Hyseni ndër tjerash bëri të ditur se kanë marrë dy kërkesa për masa disiplinore ndaj dy prokurorëve. Për këtë, me anë të shortit u zgjodhën edhe anëtarët e panelit hetimor për rastin AD.nr.17/19, e që janë: Valdet Gashi, Ismet Rrahmani , Nijazi Rexha.