Gjykatësi Gosnell: Thaçi i dha udhëzime Kilajt se si duhej të dëshmonte dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e pretenduar të administrimit të drejtësisë. Gjatë leximit të konstatimeve të trupit gjykues, gjykatësi Christopher Gosnell ka folur për vizitën që Isni Kilaj i…

Lajme

17/11/2026 11:01

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e pretenduar të administrimit të drejtësisë.

Gjatë leximit të konstatimeve të trupit gjykues, gjykatësi Christopher Gosnell ka folur për vizitën që Isni Kilaj i kishte bërë Thaçit në objektin e paraburgimit më 6 tetor 2023, raporton lajmi.net.

Sipas gjykatësit, gjatë kësaj vizite, në të cilën ishte i pranishëm edhe një person me mbiemrin Kryeziu, Thaçi i kishte dhënë Kilajt udhëzime lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonte një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë, i identifikuar si dëshmitari 4.

“Z. Kilaj e vizitoi z. Thaçi në objektin e paraburgimit më 6 tetor 2023, së bashku me z. Kryeziu. Thaçi i dha udhëzime të rëndësishme Kilajt se si duhej të dëshmonte dëshmitari 4, dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë. Z. Kilaj duket se u pajtua gjatë asaj vizite se do t’ia përcillte këto udhëzime dëshmitarit 4”, tha Gosnell.

Gjykatësi bëri të ditur se gjatë bisedës ishin përmendur edhe dy deklarata të mëparshme të dëshmitarit të mbrojtur, të cilat më vonë ishin gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë së Kilajt në Prishtinë.

“Thaçi përmend dy deklaratat e mëparshme të dëshmitarit 4 gjatë vizitës së 6 tetorit, në mënyrë të tillë që sugjeron se të dyja deklaratat ishin para tij dhe z. Kilaj kur ata diskutuan udhëzimet. Këto dy deklarata të dëshmitarit 4 u sekuestruan gjatë kontrollit të shtëpisë së z. Kilaj në Prishtinë, më 2 nëntor 2023”, deklaroi ai.

Sipas Gosnellit, provat digjitale tregojnë se Thaçi i kishte shqyrtuar këto dokumente në kompjuterin e tij pak para vizitës dhe i kishte përgatitur për printim.

“Provat digjitale tregojnë se z. Thaçi i rishikoi këto dokumente në kompjuterin e tij pak para vizitës së z. Kilaj dhe i përgatiti ato për printim. Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm, duke marrë parasysh provat digjitale dhe ato rrethanore, si dhe provat e drejtpërdrejta nga audioincizimi, se z. Thaçi ia dha këto deklarata të mëparshme të dëshmitarit 4 z. Kilaj gjatë vizitës së 6 tetorit dhe se z. Kilaj i mori ato nga objekti i paraburgimit”, tha gjykatësi.

Megjithatë, ai theksoi se provat nuk dëshmojnë përfshirjen e personit të tretë që kishte marrë pjesë në këtë vizitë.

“Megjithatë, provat nuk vërtetojnë se vizitori i tretë gjatë vizitës së 6 tetorit, z. Kryeziu, mori pjesë në veprimin e përbashkët pengues. Z. Kryeziu nuk duket se ndërhyn duke folur në bisedat mes z. Thaçi dhe z. Kilaj për të fshehur përmbajtjen e tyre, as nuk nxit veprimin pengues dhe as nuk luan kurrfarë roli tjetër”, deklaroi Gosnell.

Ai shtoi se nuk ka prova që Thaçi apo Kilaj kishin pritur që Kryeziu të luante ndonjë rol gjatë apo pas vizitës.

Po ashtu, sipas gjykatësit, provat nuk tregojnë se Kilaj kishte ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur pas takimit të 6 tetorit.

“Gjithashtu, provat nuk tregojnë se z. Kilaj ndërmori ndonjë hap më tej pas vizitës së 6 tetorit për të kontaktuar me dëshmitarin”, tha ai.

Përveç Thaçit dhe Kilajt, në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

Seanca po vazhdon me leximin e konstatimeve të trupit gjykues lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë./Lajmi.net/