“Shoqërohen në polici pesë persona” – Prokuroria jep detaje për aksionin tek agjencitë shtetërore
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, njofton opinionin publik se ka realizuar sot bastisje dhe kontroll të autorizuar nga Gjykata, në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Kontrolli është zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, njofton opinionin publik se ka realizuar sot bastisje dhe kontroll të autorizuar nga Gjykata, në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Kontrolli është zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione të tjera me interes për hetimin, raporton Lajmi.net
Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona: M.B., V.B., B.SH., M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme.
Hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përkatësisht e ndërmarrjes shoqërore RTP.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike./Lajmi.net/