Shoqëria Civile me protestë para Kuvendit, nuk presin që Gjykata Kushtetuese të zhbllokoj Kuvendin: Duhet të ketë vullnet politik nga deputetët

Organizatat e shoqërisë civile po protestojnë sot para Kuvendit të Kosovës për shkak të bllokadës së krijuar në Kuvend. Ata me disa pankarta në duar kanë shprehur shqetësimin pas 36-të seancave të dështuara, ndërkaq edhe seanca e 37-të që do të mbahet sot pritet të dështoj.. Megi Demolli nga FOL ka thënë se nga sot,…

Lajme

25/06/2025 11:16

Organizatat e shoqërisë civile po protestojnë sot para Kuvendit të Kosovës për shkak të bllokadës së krijuar në Kuvend.

Ata me disa pankarta në duar kanë shprehur shqetësimin pas 36-të seancave të dështuara, ndërkaq edhe seanca e 37-të që do të mbahet sot pritet të dështoj..

Megi Demolli nga FOL ka thënë se nga sot, çdo 48 orë do të protestojnë para Kuvendit.

“Si organizata të shoqërisë civile në të kaluarën kemi pas edhe një performancë, kemi mbajt takime me partitë politike dhe kemi shfaqur pakënaqësitë tona për mosfunksionalizimin e Kuvendit të Kosovës dhe ky do të jetë aksioni i vazhdueshëm nga sot e tutje, çdo të dytën ditë siç do të vinë edhe deputetët në Kuvend edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën që është krijuar nga deputetët e zgjedhur të zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se kjo që po shohim i ka tejkaluar kufijtë e normales dhe sipas tij vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk iu është bërë “boll” nga kjo situatë.

“Ata me një papërgjegjësi të plotë po e trajtojnë situatën aktuale si diçka të zakonshme ndonëse situata nuk është e tillë, dhe tashmë Kuvendi është bërë një cirk i demokracisë i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragji-komike ku çdo 48 orë deputetët mblidhen për disa minuta punë, ndërsa shohim se pagat po iu ecin. Puna e tyre e marrë së bashku që nga momenti kur është filluar tentimi për konstituimin e Kuvendit, mezi i arrin 2 orë të plota dhe efektive pune”, ka thënë Cakolli.

Ai nuk ka qenë optimist se çfarë do vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të zhbllokoj këtë situatë.

“Ne besojmë që është koha e fundit që deputetët t’i thërrasin arsyes dhe të arrijnë të kenë një marrëveshje politike e cila është përgjegjësi e partisë fituese në mënyrë që kjo krizë të marrë fund. As Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç përshkak se problemi kryesor në situatën e tanishme është mungesa e vullnetit politik e jo i mekanizmave procedural dhe ligjor. Edhe po të ketë vendim të Gjykatës, prap do të duhej të ketë vullnet politik nga deputetët për të kaluar inatin politik dhe këtu barrën më të madhe e kanë liderët e partive të cilët i kanë shndërruar deputetët vetëm në numra të votimit”, ka thënë Cakolli. /Lajmi.net/