Shoqëria civile – Jo imunitet për deputetët: Të gjithë të barabartë para ligjit

Mundësia e kthimit të imunitetit për deputetët e Kosovës po kundërshtohet nga anëtarë të shoqërisë civile.

Lajme

19/12/2017 15:26

Sipas tyre një gjë e tillë është e panevojshme, pasi deputetët kanë imunitet funksional, dhe ata nuk duhet të kenë të drejta shtesë, por të jenë të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët e tjerë.

Ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti Milaim Zeka ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të kthehet imuniteti për deputetët.

“Kryeministër inicioje ligjin për rikthimit e imunitetit të deputetëve, na jemi pa imunitet pa dinjitet, ne trajtohemi nga disa njerëzve rrugaç pa moral pa dinjitet brenda organeve të drejtësisë sikurse ne me qenë rrugaç. Kjo duhet të jetë prioritet nëse na e sjellë këtë do të bëjmë punë shumë të mëdha”, ishte shprehur Zeka, i cili është në arrest shtëpiak nën dyshimin për mashtrim për vizat.

Një propozim të tillë e kishte përkrahur edhe kryeministri Haradinaj.

Albert Kransiqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron edhe punën e Kuvendit, ka thënë se imuniteti aktual që kanë deputetët është i mjaftueshëm.

Sipas tij, deputetët duhet të jenë para ligjit të barabartë me qytetarët.

“Sa i përket imunitetit të deputetëve, konsideroj që rregullimi aktual që i është bërë përmes Kushtetutës dhe interpretimi që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese që është vetëm imunitet funksional është i mjaftueshëm. Deputetët duhet të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë para ligjit dhe nuk duhet të gëzojnë të drejta shtesë”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Gjatë këtij viti disa deputetë të opozitës janë arrestuar në Kuvend për shkak të përdorimit të gasit lotsjellës. Ndaj disa prej tyre janë duke u zhvilluar edhe procedura gjyqësore.

E sipas Krasniqit gjatë arrestimit të deputetëve në disa raste nuk janë respektuar këto rregulla.

“ Rregullat të cilat parashihen në rast të arrestimeve duhet të zbatohen nga organet e drejtësisë, pasi nuk janë respektuar në të gjitha rastet dhe shpeshherë Kryetari i Kuvendit nuk është njoftuar për arrestimet e deputetëve që kanë ndodhur”, ka vlerësuar Krasniqi.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi ka kundërshtuar mundësinë e kthimit të imunitetit për deputetët.

Ai ka thënë se Kushtetuta dhe Ligji garantojnë imunitetin funksional për deputetët e Kuvendit të Kosovës në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimtarisë së tyre gjatë ushtrimit të funksionit të deputetit.

Miftaraj për lajmi.net ka thënë se dhe vendimi i  Gjykatës Kushtuese të Kosovës ka nxjerr vendim lidhur me këtë fushë ku ka sqaruar imunitetin funksional i cili vendim është i bazuar edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.

“Në këtë drejtim, çdo iniciative për të forcuar imunitetin e deputetëve jashtë imunitetit funksional, mund të perceptohet në publik si kërkesë që deputetët e Kosovës të kenë mbrojtje juridike jashtë praktikave dhe standardeve ndërkombëtare, që në praktikë mund të përkthehet edhe si kërkesë për mbrojtje edhe në rastet kur të njëjtit mund të bien në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që pastaj të njëjtit të gëzojnë privilegje qe ne një shoqëri demokratike nuk përkojnë me vlerat dhe parimet më të mira evropiane”, është shprehur Miftaraj për lajmi.net.

Me 20 shtator të vitit 2011, Gjykata Kushtetuse duke shqyrtuar lëndën e Qeverisë së Kosovës lidhur me ‘imunitetin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë të Republikës së Kosovës’, kishte marrë vendim që deputetët nuk mund të kenë imunitet edhe jashtë detyrës zyrtare./Lajmi.net/

Lexo vendimin e Gjykatës Kushtetuese për imunitetin: