Shoqata e Transportuesve padit qeverinë e Kosovës pas vendimit për çmimin e biletave

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj, lidhur me vendimin e marrë për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për autobusë për disa kategori, i është drejtuar mediave ku ka folur rreth kësaj çështjeje.

Lajme

13/03/2022 13:07

Kurtishaj ka thënë se ata kërkojnë që qeveria ta anuloj brenda 72 orësh vendimin e marrur për lirimin e çmimeve të biletave dhe se ata do t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkelejet ligjore dhe për mohimin e të drejtave të tyre si treg i lirë, shkruan lajmi.net.

“Kemi marrë tri vendime. E para ka të bëjë me masën e përkohshme, pra Këshilli Drejtues me anë të një kërkesë-padie, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë. Vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen që ne po kërkojmë që brenda 72 orësh qeveria ta anulojë këtë vendim, ne presim reflektimin e Qeverisë, anulimin e vendimit në afat prej 72-orësh dhe të ulet këtu në Oden Ekonomike bashkë me Shoqatën dhe të zbatojnë marrëveshjen e shkruar mes qeverisë dhe shoqatës për subvencionim të transportit rrugo.”

Tutje Kurtishaj ka shtuar se nëse qeveria nuk reflekton atëherë ata do të prostesojnë deri në momentin kur kërkesat e tyre të plotësohen.

“Nëse kjo nuk aprovohet, atëherë vendimi tretë pason që të organizohet protesta apo të vazhdohet protesta sepse e tham që protesta është e pezulluar dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Kurtishaj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se është marrë vendim për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për autobusë për disa kategori.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritët që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, ka njoftuar Durmishi. /Lajmi.net/