Deliu-Kodra kritikon Vetëvendosjen pasi nuk kaloi rezoluta për barnat e pacientëve me kancer

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi rezolutën që kërkonte furnizim të rregullt me barna për pacientët me kancer. Përmes një postimi, Deliu ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, votuan kundër rezolutës, ndonëse një ditë më parë kishin folur për…

Lajme

26/11/2026 10:58

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi rezolutën që kërkonte furnizim të rregullt me barna për pacientët me kancer.

Përmes një postimi, Deliu ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, votuan kundër rezolutës, ndonëse një ditë më parë kishin folur për sukseset në sektorin e shëndetësisë.

Ajo ka thënë se përmes kësaj rezolute ishte kërkuar që pacientëve të mos u ndërpriteshin terapitë, të shqyrtohej mundësia e rimbursimit për ata që kishin blerë barnat me paratë e tyre, si dhe të kërkohej përgjegjësi institucionale për mungesat.

“Dje na folën për sukseset në shëndetësi. Sot votuan kundër një rezolute që kërkonte furnizim të rregullt me barna për pacientët me kancer”, ka shkruar Deliu.

Ajo ka ngritur pikëpyetje lidhur me qëndrimin e deputetëve të pushtetit, duke pyetur se si do t’ua shpjegojnë këtë votë familjeve që përballen me sëmundjen dhe vështirësitë financiare për trajtimin e saj.

“Si ua shpjegojnë këtë votë familjeve që po përballen edhe me sëmundjen, edhe me pamundësinë financiare për ta trajtuar atë?”, ka shkruar deputetja e PDK-së. /Lajmi.net/