Shokohet skuadra e Milot Rashicës

Skuadra e Milot Rashicës, Werder Bremen, ka pësuar humbje shokuese në kuadër të xhiros së 14-të në Bundesligë.

Sport

08/12/2019 20:24

Werderi i Rashicës është mundur në shtëpi me rezultat minimal nga skuadra e Paderbornit, e fundit në tabelë.

Ndeshja që pritej të jetë e lehtë në letër, doli të jetë humbje shokuese për ekipin e udhëhequr nga Florian Kohfeldt.

Ishte goli i Sven Michel ai që ‘fundosi’ skuadrën e Werder Bremenit krejt në fund të ndeshjes, në ‘Weserstadion’.

Werder Bremeni tani pas 14 xhirove, renditet në pozitën e 14-të në tabelë, me po aq pikë, ndërsa kjo ishte humbja e 6-të e sezonit. Ndërkaq, Werderi ka vetëm 3 fitore dhe 5 barazime.

Rashica sidoqoftë ishte ndër më të mirët te Werderi, duke u vlerësuar me notë 7.4 për paraqitjen e tij. Ai ishte titullar dhe e zhvilloi gjithë takimin.