Shkollat me ekipe profesionale për rritjen e cilësisë
Në kuadër të rritjes së cilësisë në arsim janë krijuar ekipe profesionale brenda shkollave, të cilat do të fillojnë të merren me planifikimin e procesit mësimor, në mënyrë që të ndikojë sa me shumë në ngritjen e cilësisë.
Lajme
Është paraparë që për këtë qëllim, në çdo shkollë të ketë ekipe profesionale, të cilat do të zgjidhen nga stafi me i kualifikuar brenda shkollës.
Ekipet profesionale do të përbehen nga personeli brenda shkollës që është më shumë i kualifikuar, ekipe këto që me kontributin e tyre do të ndikojnë rreth qasjes së mësimdhënies dhe mësimnxënies. Dhe nëse i përmbahen udhëzimit administrativ, do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë në arsim, tha për Radio Kosovën ushtruesi i detyrës së drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në MASHT, Mustafë Kadriu.
“Dikush që është më i përgatituri, që do t’i ndihmojë kolektivit brenda shkollës për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe zhvillimin e cilësisë. Po mendoj është ide mjaft e mirë, duhet të jetë me funksionale. Janë nxjerrë me udhëzim administrativ detyrat dhe përgjegjësitë. Të veprohet sipas rregullave, të cilat janë përshkruar për punën e tyre, unë besoj së do të ndikojë në rritjen e cilësisë”, tha Kadriu.
Për mësimdhënësen në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “ Elena Gjika”, Tringë Azizi, formimi i këtyre ekipeve profesionale brenda shkollës është shumë i nevojshëm, në mënyrë që të ndihmojnë dhe të lehtësojnë punën e tyre, si në përgatitjen e plan-programeve, vlerësimin e nxënësve e po ashtu edhe në zgjidhjen e shumë problemeve brenda shkollës.
“Këtë vit do të hyjë në fuqi, besoj që do të kemi shumë përfitime nga ky këshill prej sado personave që do të përbëhet. Unë mendoj që do t’u ndihmojë dhe lehtësojë punën të gjithë mësimdhënësve, sidomos atyre që kanë nevojë. Përveç planeve programeve, aktiviteteve shtesë unë mendoj që do të hynë në fuqi edhe shumë gjera të tjera”, tha Azizi.
Me futjen e kurrikulës së re, do të krijohen ekipet profesionale nëpër shkolla, ndërsa pritet që këto ekipe të luajnë rolin e psikologut dhe pedagogut në ngritjen e cilësisë në arsim, dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme brenda shkollave. /RTK/