Shkojnë në Gjermani, për “instruksione”

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj janë nisur drejt shtetit gjerman, të cilët thuhet se do të marrin instruksione për mënyrën e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Lajme

10/11/2014 08:31

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj me shumë gjasë do t’i marrin instruksionet nga shteti më i fuqishëm në Evropë, Gjermania, secili do ta ketë përkrahjen për ta drejtuar Qeverinë e re të Kosovës, shkruan “Zëri”.

I pari që ka udhëtuar drejt Berlinit është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa vetëm një ditë më vonë drejt shtetit gjerman është nisur edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Sikurse ky i fundit ashtu edhe kreu i AAK-së pritet të zhvillojnë takime me personalitete të larta të Berlinit zyrtar, ku në fokus të diskutimeve do të jetë zhbllokimi i krizës politike në vend dhe krijimi sa më i shpejtë i institucioneve shtetërore.

Në LDK thonë se kjo do të jetë një vizitë e rëndësishme e liderit të tyre, pasi që Isa Mustafa do të zhvillojë takime me sekretarin e partisë së kancelares Angela Merkel (CDU), me udhëheqësin e grupit parlamentar të CDU-së, deputetë të tjerë të Bundestagut, zyrtarë të lartë të kancelares Merkel, si dhe me përgjegjësitë e fondacionit “Conrad Adenauer”.