“Shkëlqim dhe Tmerr”, pjesa e dytë e librit të Bekim Fehmiut, së shpejti edhe në shqip
Kushtrim Koliqi nga “Integra”, ka bërë të ditur për KultPlus për botimin e këtij libri, i cili ka shpjeguar se libri tashmë është përkthyer nga Anton Berishaj, kurse korrekturën e librit e ka bërë Bekim Lumi
ShowBiz
Është duke u punuar në dizajnin e librit dhe pas përfundimit edhe të kësaj faze, në javën e tretë të këtij muaji do të del nga shtypi pjesa e dytë e librit të Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe Tmerr”, botim që do të vjen në gjuhën shqipe. Kushtrim Koliqi nga “Integra”, ka bërë të ditur për KultPlus për botimin e këtij libri, i cili ka shpjeguar se libri tashmë është përkthyer nga Anton Berishaj, kurse korrekturën e librit e ka bërë Bekim Lumi.
Ndërkaq, për këtë botim që është pjesë e bashkëpunimit në mes projektit “Mirëdita, dobar dan!” dhe shtëpisë botuese Samizdat B92, Koliqi ka shpjeguar se promovimi i këtij libri do të bëhet në dy qytete të Kosovës, në Prishtinë dhe Prizren.
“Në Prishtinë ceremonia e promovimit do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa në Prizren në Kinema Dokukino. Pjesëmarrja për të gjithë të interesuarit është e hapur dhe për mysafirët e promovimit do të shpërndahen edhe kopjet e para të këtij libri në shqip falas. Ceremonitë promovuese do të organizohen në javën e fundit të Mars 2016 dhe datat e sakta shumë shpejt do të bëhen publike”, ka shpjeguar Koliqi.
Libri në shqip “Shkëlqim dhe Tmerr” – pjesa e dytë, i shkruar nga aktori Bekim Fehmiu është pjesë e bashkëpunimit në mes projektit “Mirëdita, dobar dan!” dhe Shtëpisë Botuese Samizdat B92. Projekti “Mirëdita, dobar dan!” implementohet nga Integra në partneritet me KFOS, Iniciativat Qytetare, Qendra për Politikë dhe forumZFD, dhe mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ambasada Zvicerane në Prishtinë, Ministria e Kulturës në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës. Promovimi i librit në Prishtinë dhe Prizren organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, EC Ma Ndryshe, Dokukino dhe Shoqatën e Artistëve të Teatrit të Kosovës.
Kurse, festivali “Mirëdita, dobar dan!” është iniciative unike që kontribuon në dialogun dhe shkëmbimin kulturor në mes Kosovës dhe Serbisë, më qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve sociale, politike dhe kulturore në mes dy shoqërive. Synimi i organizatorëve është që ky festival të vazhdojë të organizohet në mënyrë tradicionale, duke kontribuar në vazhdimësi në vendosjen e paqes së përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve./KultPlus.com