Shitja e PTK’së hyn në Buxhet

Qeveria e ka dërguar sot në Komision Parlamentar një amandament për Projekt-Buxhetin 2014, me të cilin ia hap vetes rrugën për shitjen e PTK’së. Naser Osmani nga LDK thotë se ndërmarrjet publike votohen në Kuvend e jo me Buxhet.

Lajme

12/12/2013 15:51

Qeveria e Kosovës i ka dërguar sot Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa një amandament për Projekt-Buxhetin e vitit 2014, me të cilin i hap rrugë vetes për shitjen e PTK’së.

Projekt-Buxheti, i cili pritet të votohet në Kuvend për miratim përfundimtar, tashmë ka të paraparë edhe shitjen e PTK’së.

Ky amandamentim, siç bëhet e ditur, është aprovuar sot në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Projekt-Buxheti qe miratuar javë më parë në lexim të parë dhe i është kthyer Qeverisë, si sponsoruese e tij, për plotësim.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani nga LDK, ka akuzuar sot Kryeministrin Hashim Thaçi se po tenton t’i privatizojë 75 % të aksioneve të PTK’së me Buxhetin e vitit 2014.

Ai ka thënë se kjo është shqetësuese.

“Ndërhyrja e Kryeministrit që ka bërë një amendament, që përfshihet në Ligjin për Buxhetin, në aspektin profesional, politik, për mua shumë shqetësuese”.

“Do ta merrni vesh më vonë çka do të ndodhë, por do ta lexoj vetëm paragrafin e fundit, që thotë: Me miratimin e Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2014, raporti i dorëzuar nga Qeveria më 27 maj 2013, në Kuvendin e Kosovës konsiderohet i miratuar. Fjala është për shitjen e Postës”.

“Dhe, në amendamentin e lexuar, figuron shitja e Postës, 75 për qind. Shitja bëhet me dokumente të tjera, me vendime të Qeverisë. Ndërmarrjet publike votohen në Kuvend, jo me Buxhet të Kosovës”, tha Naser Osmani.