Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Maqedonia e Veriut – Kosova

Nuk ka më bileta në shitje për ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë, e velfshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.

Sport

06/03/2020 14:11

Brenda pesë ditëve, janë shitur të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët, për ndeshjen e cila do të luhet më 26 mars në stadiumin ‘Filipi II’ në Shkup.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë duke kërkuar kualifikimin historik në Kampionatin Evropian, dhe rruga për atje do të kalojë përmes kësaj sfide.

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka njoftuar se të gjitha biletat për ndeshjen kundër Kosovës tashmë janë shitur.

Stadiumi ‘Filipi II’ ka kapacitet prej 36 mijë ulësve.

Por, kujtojmë se ende nuk dihet nëse kjo ndeshje do të luhet me tifozë, pasi që Ministri i shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe ka bërë thirrje që ndeshja kundër Kosovës të zhvillohet me stadiumin e zbrazur.

“Sa u përket ndeshjeve sportive, unë personalisht mendoj se të gjitha ndeshjet sportive përfshi edhe ndeshjen Maqedoni-Kosovë ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luhet pa publikë. Sepse në ndeshje të këtilla, ka mysafirë edhe nga jashtë”, tha Filipçe./Lajmi.net/