Shija e lirisë

Mundësia për të lëvizur lirshëm në vendet e BE’së do t’iu sjell kosovarëve edhe njëherë shijen e lirisë, që shënon fundin e izolimit dhe poshtërimit. Imer Mushkolaj Si tinejxher e student, në vitet ’90, jam rritur me shqetësimet e më të rriturve se “Kosova po zbrazet”, se “s’ka me metë kush n’këtë ven” e të…

Opinion

08/01/2024 19:47

Mundësia për të lëvizur lirshëm në vendet e BE’së do t’iu sjell kosovarëve edhe njëherë shijen e lirisë, që shënon fundin e izolimit dhe poshtërimit.

Imer Mushkolaj

Si tinejxher e student, në vitet ’90, jam rritur me shqetësimet e më të rriturve se “Kosova po zbrazet”, se “s’ka me metë kush n’këtë ven” e të ngjashme si këto. Atëbotë, në kohën e regjimit serb, njerëzit iknin me të madhe jashtë vendit. Kush për t’i shpëtuar dhunës së pushtetit, të tjerë për jetë më të mirë.

Dhuna solli luftën, e lufta një tjetër ikje, por në Kosovë mbetën qytetarë sërish. Pas luftës u kthyen qindra-mijëra, të cilët u larguan përkohësisht. Të tjerë vazhduan jetën jashtë. Kur në vitet 2010-2011 u miratua liberalizimi i vizave për qytetarët e vendeve të rajonit, kosovarëve nuk iu njoh kjo e drejtë. U tha se duheshin plotësuar kritere. Ato u përmbushën, por më 2016 u vu një kusht tjetër, politik: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Përplasjet politike nuk e bënë të mundur një gjë të tillë dhe heqja e vizave dështoi. Kur demarkacioni u miratua në vitin 2018, ishte vonë.

Ndërkohë, kishte ndodhur edhe një largim masiv i qytetarëve. Në vitet 2014-2015, dhjetëra mijëra qytetarë braktisën Kosovën ”në të zezën”. Sërish u tha se Kosova po zbrazej. Megjithatë, shumë nga ta pas një kohe u riatdhesuan. Viteve në vazhdim, dhjetëra mijëra të tjerë migruan me viza pune, kryesisht në Gjermani. Prapë shqetësimi i njëjtë: “Po zbrazet Kosova”.

Fjalë të njëjta me të madhe po dëgjohen edhe tash kur, më në fund, kosovarët mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen. Më në fund Bashkimi Europian i dha fund bllokimit, izolimit, poshtërimit ndaj kosovarëve. Më në fund edhe ata mund të ndihen njësoj si qytetarët tjerë të vendeve të rajonit.

Tash, kur lëvizja drejt shteteve europiane është e mundur pa pengesa, shqetësimet se “do të zbrazet shpejt Kosova” vetëm sa janë shtuar. Tashmë kjo është një ndër temat kryesore në media e shoqëri. Kjo është frika më e madhe.

* * *

Ka plot të rinj dhe të reja kosovare që i kanë mbushur 20 e sa vjet dhe vendi i vetëm ku kanë udhëtuar jashtë është Shqipëria. Të tjerë mund të kenë vizituar edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, moshatarë të tyre nga vendet e rajonit, për shkak të liberalizimit të vizave, kanë shkelur Europën. Kush për qejf, kush për studime e kush për punë të tjera.

Të rinjtë kosovarë janë rritur si në një geto, duke iu mohuar e drejta themelore për të lëvizur lirshëm. Janë rritur me pamjet e tollovive para dyerve të ambasadave, të mijëra njerëzve në kërkim të një vize, duke shpenzuar kohë e para, duke shkatërruar nerva.

Unë nuk bëj pjesë në ata që mendojnë se nuk duhet lëvizuar jashtë dhe nuk duhet braktisur Kosovën. As nuk mendoj që “Kosova po zbrazet”.

Përkundrazi, konsideroj që secili e secila që ka sadopak mundësi financiare duhet të lëviz drejt Europës – qoftë edhe për dy-tri ditë. Për ta parë jetën atje, për të parë qysh njerëzit jetojnë, qysh punojnë, qysh sillen. Për ta parë nëse është më e vështirë ose më e lehtë jeta atje. Për t’i hequr paragjykimet e krijuara nga pamundësia për të lëvizur lirshëm dhe për të njohur qytetarë europianë.

Agjenci të ndryshme turistike ofrojnë mundësi të shumta që, për pak para, të realizohen vizita të shkurtra në ndonjë shtet të BE’së. Por, secili e secila mundet edhe vetë që të organizohet dhe të udhëtojë ku t’ia dojë qejfi.

Kjo nuk është thirrje për ta braktisur vendin, sepse tashmë janë të njohura rregullat e liberalizimit të vizave dhe pamundësia për të punuar ose jetuar në ndonjë shtet. Por, nëse dikush gjen mundësi të tjera që ta vazhdojë jetën në BE, le ta bëjë. Tekefundit, se ku dëshirojmë të jetojmë zgjedhim vetë dhe nuk mund të na ndalojë askush. Siç nuk ka mundur t’i ndalojë kush as ata të viteve ’90, as të kohës së luftës, as të viteve 2014-2015 e as të mëvonshmit me viza pune.

Vizitat nëpër shtete të ndryshme, njohja me kultura tjera dhe me njerëz tjerë janë pasuri. Të tilla mundësi na bëjnë njerëz ndryshe dhe duhet shfrytëzuar.