Shfuqizimi i vendimit për arkat fiskale, Murati e Qeveria kritikojnë Supremen – Njohësit e cilësojnë vendim të duhur dhe presin edhe shfuqizime të tjera

Gjykata Supreme dje ka shfuqizuar Udhëzimi Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë. Këtë vendim, Gjykata Supreme e ka marrë pasi që sipas tyre Qeveria në detyrë ka të drejtë të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin…

Lajme

16/07/2025 16:25

Gjykata Supreme dje ka shfuqizuar Udhëzimi Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Këtë vendim, Gjykata Supreme e ka marrë pasi që sipas tyre Qeveria në detyrë ka të drejtë të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja.

Kësisoj sipas vendimit i bie se ministri në detyrë, Hekuran Murati nuk kishte të drejtë nënshkrimin e këtij udhëzimi – apo do të mund ta nënshkruante sa ishte në qeverisje pa përfunduar mandati, por si për çudi e la për në fund.

Vendimi për udhëzimin administrativ të arkave fiskale që bëri telashe të mëdha tek bizneset, ra poshtë pas vendimit të Supremes.

Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Supreme, ka reaguar vetë ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transferefe, Hekuran Murati i cili këtë vendim e ka quajtur “absurd” dhe i cili përmendi me emra gjykatësit që morën vendimin.

Murati duke ua përmendur emrat gjyqtarëve të Supremes që kanë marrë këtë vendim, ka thënë se i njëjti është vendim absurd dhe se nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit..

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo, sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet”, ka shkruar Murati duke linçuar gjykatësit.

 

Ai ka thënë se ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale.

“Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”, ka shtuar Murati.
Për këtë vendim, dje ka reaguar edhe Qeveria në detyrë e Kosovës, të cilët kanë quajtur vendim “arbitrar”, shkruan lajmi.net.
Qeveria thekson se ky arsyetim “është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore.” Ajo nënvizon se “neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë.”
Qeveria argumentoi se “procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor,” duke kërkuar kështu legjitimitetin e plotë procedural.

Qeveria e mohon mundësinë e një konflikti funksional ndërmjet ministrit në detyrë dhe deputetit, duke rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas së cilit “Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar,” dhe për rrjedhojë “nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit.”

Në fund, Qeveria thekson angazhimin e saj për “respektimin e rendit kushtetues dhe ligjor” dhe paralajmëron se “do të shfrytëzohen mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike.”

Në lidhje me këtë deklaratë të Qeverisë e cila është parë si “sulm” ndaj Gjykatës Supreme, lajmi.net ka pyetur njohës të fushës, të cilët kanë thënë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i duhuri, shkruan lajmi.net.

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se Gjykata Supreme e ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është i paligjshëm dhe ka vendosur për shfuqizimin e tij, sepse Ministri i Financave nuk ka pasur mandat të vlefshëm në atë kohë.

Miftaraj ka thënë se sipas Gjykatës, Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet në shkelje të Kushtetutës, e cila ndalon ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë.

“Kësisoj me të drejtë Gjykata ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Vendimi i Supremes, krijon standard të rëndësishëm për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të sigurisë juridike. Për praktikën institucionale, ky aktgjykim është një precedent, sepse konfirmon se çdo akt i miratuar në kundërshtim me autorizimet ligjore do të shpallet i pavlefshëm. Pas këtij rasti, pritet që çdo vendim i ngjashëm të sfidohet dhe të anulohet në gjykatë”, ka thënë Miftaraj për lajmi.net.

Vendimin e marrë nga Gjykata Supreme e ka vlerësuar si të drejtë edhe avokati i njohur kosovar, Ardian Bajraktari.

Ai ka thënë se tash e një kohë ka deklaruar se është e ndaluar të ushtrohet funksioni i deputetit bashkë me funksionin si anëtar i Qeverisë, e të cilën ka thënë se e ka konfirmuar tani më edhe Gjykata.

“Shpresoj me pas reflektim, në drejtim të kuptuarit të qartë të kësaj situate dhe me reflektu, veçmas subjekti më i madh politik me ndërmarrë hapa konkret në drejtim të themelimit të institucioneve. Sulmet dhe etiketimet në adresë të sistemit të drejtësisë janë ta papranueshme, të njëjtat duhet të ndalen, e minojnë tej mase besimin e publikut në drejtësi. Vendimet e gjykata duhet të zbatohet”, ka thënë Bajraktari për lajmi.net.

Fjalorit të përdorur nga Qeveria e Kosovës, i ka reaguar sot edhe vetë Gjykata Supreme përmes një komunikate zyrtare të lëshuar për media.

Këtë reagim të Qeverisë së Kosovës, Supremja e ka quajtur si “tendencioz”.

“Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Nga kjo Gjykatë kanë thënë se garantojnë që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre.

“Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor. Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit”, thuhet mes tjerash në reagimin e Gjykatës Supreme.

Vendimin që ka marrë dje Gjykata Supreme, sot Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Prokurori Speciale.

LDK ka thënë se vendimi i Supremes e vërteton se kemi të bëjmë me shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.

“Kjo dëshmi është tashmë pjesë e 17 kallëzimeve penale që LDK ka dorëzuar më 8 maj 2025, per shkeljet e renda ligjore e kushtetuese nga deputetë qe edhe pas certifikimit ushtrojnë funksione ekzekutive në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë. LDK i bën sërish thirrje Prokurorisë së Shtetit që t’i trajtojë këto raste me prioritet të plotë, pa zvarritje dhe pa ndikime politike. Këto nuk janë çështje partiake, por çështje të sundimit të ligjit dhe të mbrojtjes së rendit kushtetues”, ka shkruar LDK në Facebook.

Nga LDK kanë thënë se Republika e Kosovës nuk mund të vazhdojë të tolerojë uzurpimin dhe keqpërdorimin e institucioneve nga një grup individësh për interesa partiake.

“Zbatimi i ligjit nuk është opsional. Ligji është obligim. Dhe ky obligim është i panegociueshëm për secilin pa dallim”, thuhet mes tjerash në komunikatën e LDK-së. /Lajmi.net/