ShFMU “Migjeni” në Mitrovicë nderon me pensionim Xajë Mustafën, simbolin e një prej historive më prekëse të luftës

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Migjeni” në Mitrovicë ka nderuar me rastin e pensionimit punëtorin e saj shumëvjeçar, Xajë Mustafa, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në institucion, por edhe rrugëtimin jetësor që u bë simbol i vuajtjeve dhe shpresës gjatë luftës në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, shkolla kujtoi historinë…

Lajme

02/06/2026 10:04

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Migjeni” në Mitrovicë ka nderuar me rastin e pensionimit punëtorin e saj shumëvjeçar, Xajë Mustafa, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në institucion, por edhe rrugëtimin jetësor që u bë simbol i vuajtjeve dhe shpresës gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, shkolla kujtoi historinë e Mustafës, i cili gjatë luftës u burgos nga forcat serbe dhe për një kohë të gjatë jetoi pa asnjë informacion për fatin e familjes së tij.

Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht përmes fotografisë së realizuar në vitin 1999 nga fotografi i njohur Peter Turnley, ku shfaqej duke mbajtur fotografitë e dy fëmijëve të tij të zhdukur, një imazh që u kthye në simbol të dhimbjes së familjeve shqiptare gjatë luftës.

Pas përfundimit të luftës, historia e tij mori një fund të lumtur, kur ai u ribashkua me familjen dhe mësoi se fëmijët e tij ishin gjallë, në një nga rrëfimet më prekëse të asaj periudhe.

Duke e cilësuar Xajë Mustafën si simbol të qëndresës, shpresës dhe dinjitetit, ShFMU “Migjeni” në Mitrovicë i uroi atij pensionim të mbarë, shëndet dhe shumë vite të lumtura pranë familjes së tij. /Lajmi.net/