Shfaqja me tekst të Vaclav Havel, nga Parisi vjen në Ferizaj

Teatri i Qytetit “Adriana Abdullau” në Ferizaj, ka njoftuar se më tre maj do të jenë nikoqirë të një shfaqje nga Parisi.

ShowBiz

20/04/2016 11:30

Kompania ‘Libre d’Esprit’ nga Parisi do të sjellë në Kosovë shfaqjen teatrore “Largo Desolato” të autorit Vaclav Havel. Regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisori kosovar që jeton e punon në Paris, Nikson Pitaqaj, kurse luajnë: Henri Vatin, Lina Cespedes, Yan Brailoësky, Zachary Lebourg, Anne-Sophie Pathé, Marc Enche, Elise Pradinas.

Léopold Kopriva, filozof dhe profesor i fakultetit, jeton i mbyllur në shtëpinë e tij, dukë vëzhguar çdo moment kur “ata” do të vijnë për ta dërguar “atje”. Pi tableta e alkool pa u ndalur, ndihet i sëmurë, nuk ia arrin të shkruaj. Në fund atij i vije një propozim: që të fitoj lirinë ai duhet të deklarojë që libri i tij i cili nuk u ka pëlqyer autoriteteve është shkruar nga dikush tjetër. Leopoldi ndodhet në dilema: për ta shpëtuar jetën ai duhet ta mohoj vetveten!

Václav Haveli në “Largo desolato” na dhuron një tregim universal, me një vizion «nga poshtë» të ndjenjave të një sistemi totalitar, që peshon mbi njeriun dhe ia bën jetën një përzierje mes ankthit dhe hipokrizisë. Dje apo sot, këtu apo diku tjetër, shfaqjet e Havelit, të shkrura me shumë humor, na nxisin të jemi sy-hapur mbi gjitha format e tashme “të diktaturave të zakonshme”. Teatri i Havelit është një teatër i cili nuk gjykon, nuk afirmon, dhe as nuk proklamon.

“Personazhi i Leopoldit më rikthen në një periudhë të veçantë të jetës sime, në Kosovë, kur presioni ka qenë aq i madh, pritja dhe frika e pandërprerë e ardhjes së kasapëve, ka qenë aq e fortë, sa që kur nuk vinin, fillonte një dhimbje aq e madhe që në fund shndërrohej në dëshpërim. Václav Havel pikturon në mënyrë magjike paradoksin e një pritje që shndërrohet në një periudhë të gjatë në errësirë dhe shpejtësinë në të cilën gjërat tragjikë shkojnë sikur kur arrinë era”, thotë regjisori Nikson Pitaqaj.

Teatri i Havelit, është një hapësirë gëzimi elektrizues, një hapësirë e lirisë dhe humorit, një teatër që na flet për ditën e sotme, për momentin aktual, për jetën tonë dhe për ekzistencën e të gjithëve.

“Havel, Kundera, ose Mandela, më betejat e tyre politike, por edhe me tekstet që kanë shkruar, kanë goditur dhe drejtuar rininë time, si kosovar. Sot, mërzitem që kjo luftë shpirtërore nuk vazhdon në shtetet e Ballkanit, dhe veçanërisht në Kosovë. Për mua është absolutisht thelbësore që të kujtojmë këtë periudhë, jo fort të largët, por fatkeqësisht të humbur nga pamja shoqërore. Për ketë arsye, është më rendësi të japim shfaqjet e Havelit, e pikërisht “Largo Desolato”, shprehet regjisori Pitaqaj.

Kompania Libre d’Esprit ka një histori të fortë më shtetet e Ballkanit. Drejtori dhe regjisori I këtij teatri është nga Kosova. Në repertorin e këtij teatri gjenden më së shumti dramat e Vaclav Havelit. Nikson Pitaqaj ka lindur në Gjakovë në vitin 1972. Ka shkuar në Francë në vitin 1990 dhe ka themeluar më 2001 kompaninë Libre d’Esprit.